Lushaku-Sadriu: E papranueshme që presidenti të jetë me librezë partiake

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës ende nuk ka shkuar një ftesë e paralajmëruar nga lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri, Albin Kurti, për diskutime me liderët opozitarë rreth çështjes së presidentit, tash kur afati po vazhdon të rrjedhë që prej ditës kur Kushtetuesja publikoi aktgjykimin përmes së cilit caktoi këtë afat, i cili, nëse kalon, vendi…

Lajme

01/04/2026 23:56

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës ende nuk ka shkuar një ftesë e paralajmëruar nga lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri, Albin Kurti, për diskutime me liderët opozitarë rreth çështjes së presidentit, tash kur afati po vazhdon të rrjedhë që prej ditës kur Kushtetuesja publikoi aktgjykimin përmes së cilit caktoi këtë afat, i cili, nëse kalon, vendi shkon në zgjedhje.

Shefja e deputetëve të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, në emisionin “RTK Prime” tha se ata do t’i përgjigjen ftesës kur ta marrin atë, derisa shtoi se përgjegjësia për këtë çështje duhet të ndahet bazuar në peshën politike brenda Kuvendit.

“Jo, deri në këto momente nuk kemi marrë ndonjë ftesë për diskutim sa i përket presidentit. Presim që të ketë të tilla. Gjithsesi do t’i përgjigjemi. Përgjegjësitë duhet të ndahen bazuar në peshën brenda Kuvendit. LDK është partia e tretë me 15 deputetë dhe kjo është fuqia jonë brenda Kuvendit”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu tha se është mirë që pyetja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe, me këtë rast, janë bërë sqarime edhe për sa i përket çështjeve që prekin deputetët, obligimet dhe përgjegjësitë që ata kanë.

“Ne kemi dhënë vullnetin fillestar dhe kemi thënë se janë tri rrugë që mund të zgjidhet presidenti. Njëra është e papranueshme: imponimi i një emri, dhe fatkeqësisht përfunduam në një skenar kur partia më e madhe propozoi dy emra nga partia, me libreza partiake, për çfarë kryeministri Kurti kishte dhënë një zotim që nuk e mbajti. Por përfunduam në atë skenar dhe ky nuk ka qenë i papranueshëm për LDK-në. Tendenca për t’i marrë të tri institucionet kryesore të vendit nga një parti politike është e papranueshme për LDK-në; si tendencë, është jo demokratike dhe jo e mirë në thelb. Por ka dy rrugë të tjera që kemi shfaqur gatishmërinë: njëra përmes një marrëveshjeje klasike politike ku partitë ulen dhe bëjnë një marrëveshje për ndarje pushteti, ku presidenti është pjesë e kësaj marrëveshjeje, dhe tjetra është një konsensus mbipartiak”, deklaroi tutje ajo në “RTK Prime”.

E pyetur nëse marrëveshja klasike për ndarje pushtetesh nënkupton pjesëmarrje edhe në qeveri apo vetëm në pushtetin e presidentit, dhe nëse po, çfarë do të kërkonin si parti, Lushaku-Sadriu tha se në këtë rast bëhet fjalë vetëm për çështjen e presidentit.

“Kërkesat dhe gjithçka tjetër rrjedh gjatë negociatave dhe ne jemi duke folur për presidentin, dhe për këtë duhet të ketë marrëveshje politike. Por, gjithsesi, edhe më parë ka ndodhur që kur është diskutuar për president, është diskutuar për pako. Por, meqë ka kaluar ajo fazë, po flasim për presidentin dhe aty mund të prodhohet një marrëveshje politike për t’i dhënë një president Kosovës, për ta mënjanuar shkuarjen në zgjedhje dhe që tregon emancipimin politik të vetë partive politike”, tha ajo.

Megjithatë, përsëriti se nëse për këtë nuk ka vullnet nga partia më e madhe, LDK është e gatshme për zgjedhje.

Lushaku-Sadriu tha se çështja e presidentit nuk do të duhej të ishte kryetemë në Kosovë, por sipas saj preokupimi kryesor do të duhej të ishte kriza e thellë që ka prekur çdo qytetar të Kosovës.

“Mos të harrojmë se sot jemi pranë një shtrenjtimi zinxhiror dhe një përballjeje me krizë ekonomike të të gjithë qytetarëve; ky do të duhej të ishte preokupimi kryesor”, u shpreh ajo.