Lumir Abdixhiku voton dhe uron qytetarët për një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar sot të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare dhe ka folur përpara mediave pas votimit. Abdixhiku ka uruar të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në këtë ditë të rëndësishme të demokracisë, duke theksuar se vendimmarrja kthehet tek sovrani. Ai ka bërë…

Lajme

28/12/2025 10:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar sot të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare dhe ka folur përpara mediave pas votimit.

Abdixhiku ka uruar të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në këtë ditë të rëndësishme të demokracisë, duke theksuar se vendimmarrja kthehet tek sovrani. Ai ka bërë thirrje që procesi i votimit të zhvillohet qetë dhe pa probleme, ndërsa qytetarët të përcaktojnë fatin e tyre për katër vitet e ardhshme, duke zgjedhur për zhvillim, stabilitet dhe për një të ardhme euroatlantike të Kosovës.

“Mirëmëngjesi të gjithëve dhe faleminderit që po vazhdoni të bëni punën që duhet të bëjë media në ditën më të rëndësishme të demokracisë. Uroj që gjithë procesi i votimit të shkojë mbarë, që qytetarët e Kosovës të përcaktojnë fatin e tyre dhe të largohen nga zymtësia, bllokada dhe përçarja që na ka shoqëruar në këto vite”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka falënderuar gjithashtu komisionerët, vëzhguesit, Policinë e Kosovës dhe mediat për kontributin e tyre në sigurimin e një procesi zgjedhor korrekt. “Le të fitojë populli i Kosovës, ashtu siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, ka shtuar Abdixhiku. /Lajmi.net/