Lufta shkatërruese e Izraelit në Gazë – në shifra

Një vit më parë, Izraeli filloi një nga fushatat më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese të bombardimeve në historinë moderne në Rripin e Gazës. Nisi vetëm disa orë pasi Hamasi – grup palestinez që kontrollon Gazën, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – kreu një sulm të paprecedentë kundër Izraelit më 7 tetor të vitit…

Bota

07/10/2024 08:42

Një vit më parë, Izraeli filloi një nga fushatat më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese të bombardimeve në historinë moderne në Rripin e Gazës.

Nisi vetëm disa orë pasi Hamasi – grup palestinez që kontrollon Gazën, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – kreu një sulm të paprecedentë kundër Izraelit më 7 tetor të vitit 2023 – më vdekjeprurësin në historinë e këtij vendi.

Qëllimi i Izraelit për të shkatërruar Hamasin, pasoi me dëme të mëdha për civilët dhe infrastrukturën në Gazë – njërën prej zonave më të populluara në botë.
Më 7 tetor, Hamasi kreu një sulm disaorësh ndaj Izraelit nga Gaza. Izraeli tha se 1.139 persona u vranë, përfshirë 685 civilë izraelitë dhe 71 të huaj.

Hamasi po ashtu mori 251 pengje izraelite. Pothuajse gjysma e tyre janë liruar, disa janë shpëtuar e të tjerë janë liruar nga Hamasi. Pak më shumë se 100 nga pengjet besohet se janë në Gazë, ndërkaq të tjerët besohet se kanë vdekur. Disa u vranë pa dashje gjatë sulmeve ajrore izraelite.

Izraeli tha se 346 ushtarë të tij janë vrarë gjatë ofensivës tokësore në Gazë, të cilën e nisi disa javë pasi nisi sulmet ajrore ndaj enklavës.

Mbi 41.000 palestinezë u vranë në Gazë që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë, të drejtuar nga Hamasi.

Shumica besohet se ishin civilë dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre fëmijë, të cilët përbënin pothuajse gjysmën e popullsisë së Gazës prej 2 milionë banorësh.

Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha në prill se “çdo 10 minuta, një fëmijë vritet ose plagoset” në Gazë.

Fëmijët, tha ai, “po paguajnë në mënyrë joproporcionale çmimin në këtë luftë”.

Numri i të vrarëve besohet të jetë edhe më i lartë.

Mbi 10.000 njerëz besohet se janë ende të varrosur nën rrënojat e ndërtesave të banimit në Gazë, sipas OKB-së.

Mbi 700 palestinezë, përfshirë më shumë se 150 fëmijë, u vranë gjithashtu në Bregun e pushtuar Perëndimor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Forcat izraelite u akuzuan për përdorimin e paligjshëm të forcës vdekjeprurëse gjatë të shtënave fatale kundër palestinezëve, përfshirë edhe ekzekutimin e qëllimshëm të palestinezëve që nuk përbënin kërcënim të dukshëm për sigurinë.

Izraeli tha se 1.139 njerëz u vranë në sulmin e Hamasit më 7 tetor, përfshirë 685 civilë izraelitë dhe 71 të huaj.

Sipas Izraelit, 346 ushtarë të tij u vranë në pushtimin tokësor të Gazës, i cili nisi disa javë pas fillimit të bombardimeve të tij ajrore atje.

Gjatë sulmit të tij, Hamasi mori peng 251 izraelitë.

Gati gjysma u liruan – disa u shpëtuan dhe të tjerë u liruan nga vetë Hamasi.

Pak më shumë se 100 pengje besohet se janë ende në Gazë, ndërsa të tjerët besohet të jenë të vdekur. Disa prej tyre u vranë pa dashje nga sulmet izraelite.

Sipas OKB-së, Izraeli ka shkatërruar mbi gjysmën e të gjitha strukturave në Rripin e Gazës. Rreth 360 mijë njësi të tjera banimi janë dëmtuar.

Shkatërrimi i infrastrukturës së Rripit të Gazës nga Izraeli

Imazhet satelitore tregojnë se së paku 53 shkolla janë shkatërruar që nga fillimi i konfliktit.

Izraeli thotë se shënjestron infrastrukturën dhe ndërtesat e “terrorit” në Gazë dhe akuzon Hamasin se përdor civilët si mburojë njerëzore.

Të plagosurit në luftë
Sulmet tokësore dhe ajrore të Izraelit në Gazë plagosën mbi 95.000 palestinezë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Së paku një e katërta e tyre përballen me lëndime që ua ndryshuan jetën, si amputime dhe rehabilitim i gjatë, tha OBSH-ja.

Vrasja e punonjësve të mediave dhe të ndihmës
Së paku 116 gazetarë dhe punonjës të mediave u vranë në Gazë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Së paku pesë gazetarë ishin shënjestër e drejtpërdrejtë e forcave izraelite dhe organizata mbikëqyrëse e mediave me bazë në Nju Jork i klasifikoi ato si vrasje.

Shifrat e bënë luftën e Izraelit në Gazë konfliktin më vdekjeprurës ndonjëherë për gazetarët.

Gjatë punës në terren u vranë edhe punonjës të ndihmës. Sipas OKB-së, numri i tyre është mbi 250.

 

Kriza humanitare në Gazë
Pothuajse e gjithë popullata e Rripit të Gazës përballet me uri, për shkak të mungesës së jashtëzakonshme të ushqimit, sipas Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore.

Organizata Human Rights Watch tha në dhjetor se Izraeli përdor vdekjen nga uria si armë lufte në Rripin e Gazës.

Palestinezët e zhvendosur brenda vendit

Më shumë se 85 për qind e banorëve të Gazës, ose mbi 1.9 milion njerëz u zhvendosën nëpër enklavë deri në fund të vitit 2023, sipas OKB-së.