Lufta e pastrimit të parave, kryeprokurorja e Pejës takon delegacionin amerikan

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka pritur në takim një delegacion të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilin ka diskutuar për luftimin e kriminalitetit financiar dhe ekonomik. Në takim morën pjesë edhe prokurori i shtetit, Ermal Demhasaj, koordinator për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dhe…

Lajme

22/10/2026 14:24

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka pritur në takim një delegacion të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilin ka diskutuar për luftimin e kriminalitetit financiar dhe ekonomik.

Në takim morën pjesë edhe prokurori i shtetit, Ermal Demhasaj, koordinator për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dhe përfaqësuesit amerikanë Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, këshilltarë për krimet ekonomike.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, identifikimin dhe zbulimin e veprave penale financiare, me theks të veçantë në luftimin e pastrimit të parave.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe mundësive për ofrimin e ekspertizës dhe shkëmbimin e njohurive profesionale, me synimin e forcimit të kapaciteteve të prokurorëve të shtetit në luftimin e kriminalitetit financiar dhe ekonomik.

Kryeprokurorja Vuçetaj theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe përvojës së partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në avancimin e praktikave hetimore dhe rritjen e cilësisë së hetimeve financiare.

Ajo vlerësoi gjithashtu se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe shkëmbimi i përvojave profesionale janë të rëndësishme për zbatimin e metodave efektive në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave që lidhen me kriminalitetin financiar dhe ekonomik, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve të Prokurorisë Themelore në Pejë.