Lojtari i Lakers: Ne kemi në skuadër lojtarin më të mirë në botë dhe LeBron James

Në ndeshjen e parë të finales së NBA, LA Lakers ka mposhtur me lehtësi Miani Heat, me rezultat 116-98.

Sport

01/10/2020 08:44

Edhe pse LeBron James pati një ‘double-double’ me 25 pikë, 12 kërcime dhe nëntë asistime, më i miri në këtë ndeshje ishte Anthony Davis, me 34 pikë, nëntë kërcime, pesë asistime dhe tri bllokime.

Ka vetëm tre lojtarë që nga bashkimi i ligave NBA dhe ABA në vitin 1976/1977 që kanë shënuar më shumë se Davis në ndeshjen e parë të tyre finale, Allen Iverson, Kevin Durant dhe Michael Jordan.

Davis shkëlqeu në debutimin në finale, sa që shoku i tij i skuadrës e shpalli si basketbollistin më të mirë në botë për momentin.

“Ka qenë e lehtë për Anthony Davis, e kam thënë që kur kam ardhur në këtë ekip”, ka deklaruar Markieff Morris, i cili iu bashkua Lakers në shkurt pas përfundimit të kontratës së tij me Detroit Pistons, përcjell lajmi.net.

“Sinqerisht, nëse më pyet, edhe pse kemi LeBron, unë mendoj se Davis është lojtari më i mirë në botë. Ai është i shkëlqyeshëm në të dy skajet e fushës, çdo natë”./Lajmi.net/