Logopedi s’u dënua për keqtrajtimin e 3-vjeçares me autizëm, reagon ANAK

Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, ka reaguar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, ku logopedi Iljasa Fazliu u shpall i pafajshëm pasi akuzohej se ka trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme mjekësore një 3-vjeçare me autizëm, në vitin 2022. ANAK thotë se ky vendim përbën një goditje të rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin…

Lajme

19/11/2024 17:09

Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, ka reaguar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, ku logopedi Iljasa Fazliu u shpall i pafajshëm pasi akuzohej se ka trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme mjekësore një 3-vjeçare me autizëm, në vitin 2022.

ANAK thotë se ky vendim përbën një goditje të rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin e prindërve dhe respektimin e standardeve etike nga profesionistët që punojnë me persona me nevoja të veçanta në Kosovë.

“Vendimi për shpalljen e pafajësisë së këtij logopedi është mbështetur në raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i cili konstatoi se gjuha e përdorur nga Iljasa Fazliu nuk kishte ndikuar negativisht në gjendjen shëndetësore të vajzës. Ky vlerësim është bërë pa u takuar asnjëherë komisioni me fëmijën dhe pa kryer ndonjë ekzaminim të drejtpërdrejtë. Për më tepër, gjuha e përdorur në këtë vendim është tejet stigmatizuese ndaj personave me autizëm”, shkruan në reagim.

Në komunikatë mes tjerash theksohet se ekspertizën e marrë parasysh nga gjykata, e kundërshtoi edhe prokuroria.

“Edhe prokuroria ka kundërshtuar këtë ekspertizë, duke argumentuar se është hartuar nga ekspertë joadekuatë. Në aktakuzë është përmendur edhe deklarata problematike e kryetares së komisionit, e cila ka thënë se komisioni nuk ka llogaritur zërin e fëmijës si britmë. Kështu, prokuroria ka theksuar se raporti nuk i përmbush standardet e nevojshme për të qenë i besueshëm”.

ANAK tha gjithashtu se pas përjetimit të këtij incidenti, fëmija ka marrë mbështetje intensive terapeutike te ta, ku është punuar për të rikuperuar besimin e saj dhe për të nxitur zhvillimin e saj të përgjithshëm.