Logopedi Besart Sokoli u dënua me 1 vit burgim për keqtrajtimin e një vajze me aftësi të kufizuara – Ankohet në Gjykatën e Apelit

Logopedi Besart Sokoli, është dënuar me 1 vit burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë pasi që dyshohet për keqtrajtimin e një vajze me aftësi të kufizuara. Sokoli është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim me kusht prej 1 viti, shkruan lajmi.net. Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Gjykatës…

Lajme

05/08/2025 18:01

Logopedi Besart Sokoli, është dënuar me 1 vit burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë pasi që dyshohet për keqtrajtimin e një vajze me aftësi të kufizuara.

Sokoli është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim me kusht prej 1 viti, shkruan lajmi.net.

Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë – Dega në Podujevë, Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Penal, ka shpall Aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit B.S., për shkak të veprës penale Sulmi. I akuzuari B.S. është shpall fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në ndalim, dhe të njëjtën kohë gjykata ka urdhëruar që ky dënim të mos ekzekutohet, nëse në periudhën e verifikimit prej dy (2) viteve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë për lajmi.net se aktgjykimi në fjalë gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Besart Sokoli sipas prindërve të viktimës, dyshohet se gatë seancës në ordinancën  “Logomedicus”, ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës, përkatësisht që i ka shkulur flokët e lënduar hundën duke ia gjakosur.

Sokoli dhe ordinanca e tij është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2022, ndërsa rasti ka ndodhur në vitin 2023.

Vajza siç pati deklaruar babai i saj kur ka ndodhur rasti, kishte filluar të shkonte në seanca në klinikën “Logomedicus” që nga 30 qershori i vitit 2023.

Logopedi në Podujevë dyshohet se ia ka kapur flokët pacientes së mitur

Deri në gjashtë ditët e para gjithçka po shkonte mirë, më pas N.I kishte nisur të refuzonte dhe të qante sa herë merrte rrugën për tek logopedi.

Babai i viktimës në një prononcim pati  treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhune në trupin e fëmijës të tij ishin vërejtur në fund të javës së kaluar.

“Nga data 30.6 e këtij viti e kemi çu në seancë të logopedi, e ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë më pas ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune por nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjetë çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjak në hundë dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës, ai i ka thënë ‘kam ushtru presion ma shumë se që duhet’”, ka thënë R.S.

Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.

“Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky lloj presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal, e pyetja a ia bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici. Vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares. Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk është në gjendje të mirë që nga dita e shtunë.

Gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor kur kishte ndodhur rasti, Sokoli e ka pranuar se ia ka shkulur flokët vajzës derisa ka qenë duke e trajtuar.

E ky nuk është rasti i parë që një logoped arrestohet për sulm ndaj pacientëve.

Në nëntor të vitit 2022 ishte arrestuar logopedi Iljasa Fazliu nën dyshimnet se ka përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese ndaj një fëmije 3 vjecare me autizëm.

“Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri I. F., me datë 26 nëntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 minuta, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijut të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, kështu që i pandehuri me veprimet e tij bie ndesh me nenin 94 paragrafi 4 nënparagrafi 4.4 të Ligjit mbi Shëndetësinë, duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, përmes të cilave ka ndikuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijut. Me këto veprime i pandehuri I. F. dyshohet se ka kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhej në njoftimin e gjykatës.