Lladrovci për Thaçin: Ai e do Kosovën më shumë se veten

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si një nga figurat e mëdha të historisë së Kosovës dhe duke kritikuar, sipas tij, përpjekjet për njollosjen e figurave të luftës. Në një postim publik, Lladrovci ka kundërshtuar pretendimet se Thaçi ka qenë kundër zgjedhjes së presidentes,…

Lajme

13/10/2026 14:05

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si një nga figurat e mëdha të historisë së Kosovës dhe duke kritikuar, sipas tij, përpjekjet për njollosjen e figurave të luftës.

Në një postim publik, Lladrovci ka kundërshtuar pretendimet se Thaçi ka qenë kundër zgjedhjes së presidentes, duke theksuar se, bazuar në njohjen e tij me të, ish-presidenti gjithmonë e ka vendosur interesin e Kosovës mbi atë personal, raporton lajmi.net

“Presidenti Hashim Thaçi është një nga lisat e mëdhenj dhe bubullimat zbrazen mbi të. Hakmarrësit e xhelozët, do të vazhdojnë ta bëjnë punën e vet. Tendenca e përbaltjes së heronjve vazhdon, Presidenti Hashim Thaçi, Kadriu, Jakupi e Rexha nuk bëjnë përjashtim. Tellallët e profiterët, po mundohen ta tjetërsojnë personalitetin e Presidentit”.“Prej se e njoh unë, ka dëshmuar se e do Kosovën më shumë se veten”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka përmendur edhe votimin e Thaçit për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke e paraqitur këtë si dëshmi se ish-presidenti, sipas tij, ka vepruar duke pasur parasysh interesin e vendit.“Shembulli i fundit është kur Presidenti Thaçi me këmbëngulje ka votuar për Dhomat e Specializuara, për t’ia hequr Kosovës retë e zeza. Ai, para se të mendoj për veten, ka menduar për Kosovën. Kështu, fort besoj është edhe sot”.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, duke shprehur habinë për qëndrimet kritike ndaj figurave që i cilëson si emblema të lirisë së Kosovës.“Ka njerëz që ta falin gjakun e djalit, por, suksesin jo. E kuptueshme që disave nuk ju pëlqej në skenën politike, por, çka kanë me heroin e heroinën, dy emblemat e lirisë së Kosovës, me Fehmiun e Xhevën, nuk e kuptoj”, shkroi ai.

“Kohërat e lehta krijojnë njerëz të dobët, njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira”.