​Lladrovci për audioincizimin për milionat: Nuk ka bir nane që më shatazhon mua

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është arsyetuar lidhur me audioincizimin që ka dal mbrëmë në media, ku flitej për miliona euro, duke u ankuar se incizimi është prerë në momente të caktuar siç është tek biseda për mbindërtimin ku ai thotë se është prerë fjala sipas ligjit. Ai i ka thënë KosovaPress-it se…

Lajme

30/09/2025 19:15

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është arsyetuar lidhur me audioincizimin që ka dal mbrëmë në media, ku flitej për miliona euro, duke u ankuar se incizimi është prerë në momente të caktuar siç është tek biseda për mbindërtimin ku ai thotë se është prerë fjala sipas ligjit.

Ai i ka thënë KosovaPress-it se e gjithë biseda ka qen në bazë të ligjit.

“Mbrëmë ka dal një audio incizim i prerë, i sakatuar, nga autori ose nga botuesi i saj i cili ka të bëj me këtë pronë prej 1 hektar tokë dhe 32 ari apo 13,200 metra katrorë dhe ka të bëjë kryesisht me këtë zonën këtu ku është e uzurpuar dhe kanë provuar ta përdorin si shantazh ndaj meje dhe unë u bëj me dije, jo vetëm atyre por kujtdo qoftë që nuk ka bir nane që më shatazhon mua. Në takimin me katër ish ansambleistë ku tre prej tyre sot janë në listën e PDK-së, një është në listën time dhe një nuk ka konkurruar fare, është bërë bisedë dhe është kërkuar nga unë që këtë pjesë uzurpatorit t’ia jap në shfrytëzim për 99 vite. Unë i kam thënë se nuk mund ta jap një pronë 10 ari në zemër të pronës komunale dikujt, sepse e pengoj zhvillimin e të gjithë kësaj prone që e kemi këtu. Ju kam thënë se nëse ju doni të investoni mund të investoni, të bëheni bashkë apo ta gjeni ndonjë kompani e cila ka mundësi financiare të zhvilloj dhe unë ua krijoj kushtet të konkurroni me konkurrim të lirë me 27% të interesit për komunën dhe kemi biseduar gjatë. Kjo parcelë i ka 13,200 metra dhe ne kemi folur shumë për miliona euro sepse prona ka kushtuar miliona euro, nuk kemi folur për miliona euro për përfitime personale sepse edhe në audio incizim nuk e gjeni askund që unë kam kërkuar diçka për vete por vetëm për qytetarët e Drenasit sepse unë e mbroj pronën publike me fanatizëm.”, tha ai.

Ai ka thënë se në audioincizim vetëm u ka shpjeguar se sa mund të përfitonte investitori dhe sa komuna, por asnjëherë nuk ka folur se sa do të përfitonte ai individualisht.

“4500 metra katrorë që do të shtohej një katë më shumë mbindërtim me leje ndërtimi komfor ligjit sepse në audioincizim prehet fjalimi im se unë flas për 4 mijë metra mbindërtim dhe mungojnë fjalët tjera që është një kat mbindërtim me leje. Ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës thotë se kryetari i komunës ka të drejt pa shfrytëzuar procedurat paraprake të negociojë ofertat nga palët e interesuara dhe të paraqes propozimin final për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës dhe për miratim në Kuvendin Komunal të Komunës. Pra çdo gjë që kemi bërë bisedë ne do të binte në ujë, nëse nuk do ta dërgonim në Kuvend për miratim, kështu që qëllimi i audioincizimit nuk është sepse askund nuk vërtetohet që kemi shkel ligj, nuk vërtetohet se kemi kërkuar diçka për vete”, tha ai.

Ai u ndal edhe të procesi i moszgjidhjes së tij nga kryesia e PDK-së, duke thënë se ata janë “rroktarë”, të kryetarit.

Sipas tij, tanimë po shihet kush janë shantazhuesit e jo ai.

Ai ka paraqitur edhe një bisedë me Vlora Çitakun, ku Lladrovci ankohej se kishte pengesa nga Petrit Hajdari në miratimin e vendimeve në Kuvendin Komunal. Derisa shihet se Çitaku i thoshte se është vepër penale incizimi pa dijeninë e tjetrit, Lladrovci i kishte shkruar edhe vepër penale është edhe incizimi që tani doli në publik dhe që ishte incizuar në vitin 2024.

“Nëse ai që e ka incizuar ka menduar që unë kam bërë vepër penale, do të duhej ta dorëzonte pranë organeve të sigurisë, por ai e ka mbajt për me shantazhuar. Me muaj të tërë qytetarëve të Drenasit iu ka lëshuar te veshi duke i thënë dëgjoni Ramizin duke folur, e kemi në dorë dhe ai nuk guxon me rrëzuar objektin. Pasha besën si ta kryej me gjykatë, ka me i hy bager rrafsh me tokë ka me bërë sepse prona publike është pronë e shenjët për mua dhe do ta mbroj me çdo kusht. Nuk do të mund ta mbrojt Abelard Tahiri, i cili dyshoj që krejt këto vonesa në gjykata e për të cilin do të iniciojë rast, nuk do të mund ta mbrojë Abeladri as askush tjetër“, tha ai.

Ai pati ankesa edhe për audioincizimin, duke thënë se është këputur shumë herë dhe kjo do të ndiqet si vepër penale.