Lladrovci: Nuk u mor mësim nga përvoja e “Feronikelit” për furnizim me energji, tash, bizneset do të kenë përvojë të cilën do ta paguajmë të gjithë
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit ka bërë një postim në lidhje me gjendjen e gjigantit industrial “Feronikeli”. Lladrovci ka shkruar se gjendja e “Feronikelit” është e mjerueshme dhe se punëtorët që disa muaj po marrin vetëm 65 përqind të pagës, shkruan lajmi.net Tutje, i pari i Drenasit tha se nuk ka pasur as…

Lajme
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit ka bërë një postim në lidhje me gjendjen e gjigantit industrial “Feronikeli”.
Lladrovci ka shkruar se gjendja e “Feronikelit” është e mjerueshme dhe se punëtorët që disa muaj po marrin vetëm 65 përqind të pagës, shkruan lajmi.net
Tutje, i pari i Drenasit tha se nuk ka pasur as reagim e as ndonjë veprim nga Qeveria e Kosovës për këtë.
Ai shtoi se pasi nuk u mor mësim nga përvoja e “Feronikelit” për furnizim me energji, tash, bizneset vendore do të kenë përvojë të cilën do ta paguajmë të gjithë.
Postimi i plotë:
Kur e kemi alarmuar gjendjen e furnizimit me energji të gjigantit industrial “Feronikeli”, vite më parë, vendimmarrësit e Republikës së Kosovës, nuk e trajtuan mundësinë për ta furnizuar me rrymë.
Gjendja e “Feronikelit” në vitet e fundit është përkeqësuar
Gjendja e “Feronikelit” në vitet e fundit është përkeqësuar ndjeshëm. Rreth 700 punëtorë me kontrata të drejtpërdrejta dhe mbi 500 të tjerë të angazhuar në mënyrë indirekte, po marrin vetëm 65% të pagës, tash e 20 muaj që nga ndalimi i prodhimit.
Ftohja e furrës elektrike është proces që kërkon investime milionëshe për ristartim dhe e ka bërë edhe më të ndërlikuar rikthimin në funksion.
Pavarësisht kësaj situate të rëndë, nuk ka pasur asnjë reagim solidar nga kompanitë e mëdha vendore e as ndonjë veprim konkret nga Qeveria për të ndërhyrë dhe për ta përmirësuar gjendjen.
Askujt, nuk i bëri përshtypje mospuna e “Feronikelit”, mbase dikush e mendonte se biznesi nuk mund të shpërngulej nga Kosova dhe pronarët paguajnë se “janë të fuqishëm”.
Kur kjo situatë përkthehet te bizneset tjera vendore për zbatimin e blerjes së energjisë nga bursa, dëmet do të jenë të pariparueshme.
Për fat të keq, nuk u mor mësim nga përvoja e “Feronikelit” për furnizim me energji, tash, bizneset vendore do të kenë përvojë të cilën do ta paguajmë të gjithë!/lajmi.net/