Lladrovci kritikon lidershipin e PDK-së: Nëse Hamza nuk sjell ndryshime, mund të rirreshtohet lista e fundit dhe dyshi të bëhet njësh
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë një parashikim në lidhje me rezultatet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme nacionale, e që ka thënë se po vijnë. Ai ka kritikuar kryetarin e kësaj partie, Bedri Hamzës, për veprimet e të cilit ka thënë se nëse nuk ndryshojnë do të prodhojnë rezultat të njëjtë.…
Lajme
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë një parashikim në lidhje me rezultatet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme nacionale, e që ka thënë se po vijnë.
Ai ka kritikuar kryetarin e kësaj partie, Bedri Hamzës, për veprimet e të cilit ka thënë se nëse nuk ndryshojnë do të prodhojnë rezultat të njëjtë.
Lladrovci ka thënë se PDK ka nevojë për një rezultat tjetër, që dëshmon se është konstanta e shtetit, shkruan lajmi.net.
“Për të pasur rezultat tjetër, më e pakta duhen ndryshime në vendimmarrjen e PDK-së, brenda subjektit politik i cili bart përgjegjësi historike të shtetformimit e shtetndërtimit. Sigurisht, strukturat ekzistuese, nuk po mund i japin përkrahjen meritore liderit të partisë, për shkak të shumë rrethanave. Meritokracia e nivelit qendror përcillet nga dështimet në degë, organizimin e mangët me strukturat, mos përfshirjen e ideve të reja në vizionin e platformës zgjedhore. Tjetër rrethanë është mungesa e ballafaqimit me qeverisjen aktuale, mungesa e vullnetit për beteja të qëndrueshme e kauza politike”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka thënë se Hamza i ka në dorë veprimet që mund ta bëjnë ndryshimin.
“Normalisht, duke filluar të heq të ricikluarit e përjetshëm nga skema e të pazëvendësueshmëve, të largojë nga vendimmarrja konformistët, oportunistët dhe bjerrakohësit partiakë. Nuk është e lehtë që të bëhen ndryshime, aq më pak në një parti me traditë, kontribues e meritokraci të theksuar, por, nëse nuk e bën ndryshimin z. Hamza, është i rrezikuar në dy mënyra, ose për ta larguar nga lidershipi e ta zëvendësojnë, ose e lejojnë të prijë, por, do ta sabotojnë sërish në fushatë për ta sjellë në nivel edhe më të ulët të votave”, ka shkruar Hamza.
Ai ka thënë se paralajmërimet e tij se nëse Hamza nuk bën ndryshime në struktura të partisë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, do t’ia bëjnë gropën edhe PDK-së që të ketë rezultat më të dobët.
“Ashtu doli, dy deputetë më pak, nga 24 në 22. Pas dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë ku opozita ishte më shumë dekor se sa ofruese e alternativave për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin, rezultati është i pakënaqshëm. Prandaj, për rezultate më të mira të PDK-së, kërkohen veprime më të mira. Nëse z. Hamza nuk vepron, qofsha i gabuar, por, kam informata se do të veprojnë ata që janë të kënaqur me veten dhe me partinë. Këta mund të bëjnë rirreshtim brenda listës së fundit të PDK-së ku dyshi bëhet njësh, në emër të disiplinës partiake dhe kinse të imponuar nga rrethanat”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se pret nga Kushtetuesja që t’i jap nga pak të drejtë edhe Presidentes Vjosa Osmani edhe kryeministrit.
“Mendoj se edhe Gjykata Kushtetuese për nga natyra dhe funksioni, çështjen e presidentit dhe shpërndarjen e Kuvendit mund ta trajtojë si llastikun. Kjo çështje nuk e përmirëson gjendjen e PDK-së dhe të Kosovës, gjendje të cilat nuk vlerësoj si të mira dhe qytetarët presin më shumë nga të gjithë ne. PDK, nuk guxon të ndalet!”, ka shtuar Lladrovci në rrjetin social Facebook. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: