Lladrovci: Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhën i presim me aktgjykim lirues nga akuzat
Në pesëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit dhe të tjerëve, kryetari i zgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se drejtësia ndërkombëtare ka pasur lëshime gjatë ekzistencës së vet. Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan procesi në Hagë është i sajuar nga armiqtë e Kosovës, nga burime, sipas tij, të pabesueshme dhe të komprometuara. “Pesë…
Lajme
Në pesëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit dhe të tjerëve, kryetari i zgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se drejtësia ndërkombëtare ka pasur lëshime gjatë ekzistencës së vet.
Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan procesi në Hagë është i sajuar nga armiqtë e Kosovës, nga burime, sipas tij, të pabesueshme dhe të komprometuara.
“Pesë vjet, liderët tanë të luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, nuk janë fizikisht në mesin tonë, nuk janë pranë familjeve, nuk janë të lirë në shtetin për të cilin punuan me përkushtim të jashtëzakonshëm. Vepra e heronjve tanë të luftës dhe paqes, e pandashme nga pavarësia e Republikës së Kosovës, është vazhdim i historisë më të ndritur të kombit, histori e filluar me Skënderbeun, e vazhduar me Ismail Qemalin duke përmbyllur shekullin me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Drejtësia ndërkombëtare ka pasur lëshime gjatë ekzistencës së vet, por, procesi ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes në Hagë, do të mbetet njolla më e madhe e saj, tashmë e dëshmuar se është proces i sajuar nga armiqtë tanë, nga burime të pabesueshme dhe të komprometuara”, shkruan ai.
Ndër të tjera, Lladrovci thotë se ish-krerët e UÇK-së i pret me aktgjykim lirues nga akuzat, pasi siç thotë ai, ata zhvilluan luftë të drejtë çlirimtare dhe në bashkëpunim me aleatët, raporton Klankosova.tv.
“Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët, i presim me aktgjykim lirues nga akuzat. Ata zhvilluan luftë të drejtë çlirimtare dhe në bashkëpunim me aleatët. Çdo ditë e qëndrimit të tyre larg Kosovës, është padrejtësi. Ju presim të pafajshëm çlirimtarë”, përfundoi Lladrovci.