Lituania thotë se “nuk ka konfirmim” se ushtarët amerikanë vdiqën gjatë stërvitjes
Ministrja e Mbrojtjes e Lituanisë, Dovile Sakaliene, ka thënë të mërkurën vonë se nuk ka “asnjë konfirmim” se katër ushtarë amerikanë – të cilët u zhdukën në Lituani gjatë një stërvitjeje ushtarake – kanë vdekur. Ajo i bëri këto komente pak pasi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u tha gazetarëve në Varshavë se…

Bota
Ministrja e Mbrojtjes e Lituanisë, Dovile Sakaliene, ka thënë të mërkurën vonë se nuk ka “asnjë konfirmim” se katër ushtarë amerikanë – të cilët u zhdukën në Lituani gjatë një stërvitjeje ushtarake – kanë vdekur.
Ajo i bëri këto komente pak pasi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u tha gazetarëve në Varshavë se kishte marrë lajmin për “katër ushtarë amerikanë që u vranë në një incident në Lituani”.
Sakaliene e hodhi poshtë deklaratën e Ruttes, duke u thënë gazetarëve në terrenin stërvitor në Pabrade, ku ushtarët amerikanë u zhdukën, se operacioni i shpëtimit është duke vazhduar.
“Ky është një operacion teknikisht shumë i ndërlikuar. Një operacion kërkimi dhe shpëtimi është duke vazhduar. Dua ta theksoj këtë. Nuk ka asnjë konfirmim”, tha ajo.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Lituanisë shkruan në X: “Për momentin, nuk ka asnjë provë apo informacion që konfirmon vdekjen e trupave”.
Ushtria Amerikane në Evropë dhe Afrikë tha në një komunikatë më herët se katër ushtarët “po kryenin stërvitje të planifikuara taktike” kur u zhdukën të martën.
Qendra stërvitore lituaneze, Pabrade, ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë.
Shefi i NATO-s tha se ai nuk di më shumë hollësi për këtë incident.
Në një komunikatë të mërkurën, Ushtria Lituaneze tha se zhdukja e ushtarëve u raportua në orën 16:45, me orën lokale, më 25 mars, ndërsa njoftimi zyrtar arriti te autoritetet në Vilnius deri në orën 19:20.
Ka filluar një operacion kërkimi ku janë përfshirë personel ushtarak, shërbime shpëtimi dhe zjarrfikës.
Policia lituaneze gjithashtu ka nisur një hetim./rel