“Lista Serbe” shton presionin

Policia e Kosovës ndaloi një serb që po ushtronte presion ndaj serbëve në Pasjan të komunës së Parteshit. Ai po bënte presionin në favor të “Listës Serbe”. Gjatë ditës, Kryeprokurori i Shtetit Ismet Kabashi ka konfirmuar për presionin e “Listës Serbe\".

Lajme

26/11/2013 20:18

Një anëtar i shtabit zgjedhor të “Listës Serbe” është ndaluar sot në fshatin Pasjan të komunës së Kllokotit për shkak se dyshohet ët ketë ushtruar presion ndaj serbëve lokalë para rrethit të dytë të votimeve, që mbahet më 1 dhjetor.

Mediat serbe raportojnë se Zoran Stojanovic është ndaluar nga Policia dhe është duke u mbajtur në Stacionin e Policisë në Gjilan.

Dje është raportuar për ndalimin edhe të vëzhguesve dhe anëtarëve tjerë të shtabit zgjedhor të këtij subejkti Bojan Trajkovic, Dragan Nikolic, Aleksandar Denic, Goran Stojkovic dhe Svetislav Petrovic nga komuna e Parteshit.

Gjatë ditës, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi ka konfirmuar se njerëz të “Listës Serbe” janë duke bërë presion ndaj votuesve për të votuar kandidatët e kësaj liste të mbështetur nga qeveria serbe, në ato komuna ku ata janë në garë.

“Tortura ndaj serbëve vazhdon dhe bashkësia ndërkombëtare, e sidomos OSBE, e cila është e ngarkuar për rregullsinë e procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor, nuk po bën asgjë që të ndalet ky maltretim i hapur ndaj serbëve”, ka thënë “Lista Serbe” në një komunikatë.

Ndalesat e serbëve janë dënuar edhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.