“Lista është pru pa u rregullu me ligj, këtu janë edhe 17 parcela ku është ndërtu lagja Marigona, qysh u leju pra me ndërtu?”- Zhvillime nga seanca në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka thirrur sot një seancë të jashtëzakonshme. Kjo seancë ka në rend dite vetëm një pikë. “Propozim-vendimin për miratimin paraprak të listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënien në shfrytëzim në vitin 2026”, është pika që do të shqyrtohet gjatë saj”. Në këtë seancë është duke…

Lajme

30/12/2025 11:47

Komuna e Prishtinës ka thirrur sot një seancë të jashtëzakonshme.

Kjo seancë ka në rend dite vetëm një pikë.

“Propozim-vendimin për miratimin paraprak të listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënien në shfrytëzim në vitin 2026”, është pika që do të shqyrtohet gjatë saj”.

Në këtë seancë është duke u diskutuar në lidhje me pronat saktësisht disa prej parcelave që janë në pronësi të komunës, por që parashihet të jepen për shfrytëzim.

Derisa disa nga asamblistët po diskutojnë tanimë për këtë çështje, asamblistja e Vetëvendosje, Nora Kelmendi ka kundërshtuar këtë çështje.

Ajo deklaroi se nuk duan të bllokojnë dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave, por s’është ofruar dokument shtesë dhe nuk ka përputhje me ligjin, raporton lajmi.net.

“Edhe shihet se pas 4 vitesh jeni duke bërë Akoma gabime amatoreske”.

Kurse Besa Shahini nga PSD, deklaroi se Komuna e Prishtinës ka bërë shkelje të shumta në kuadër të pronave.

“Është mirë të shohim se si do të adresohet keqmenaxhimi i pronës publike në Prishtinë. Dëmi që i është shkaktuar nga mostrat që ka marrë auditori ka qenë mbi 200 mijë euro në vitet 2023-2024 pra vetëm nga disa prona që janë dhënë me qira. Problemet janë të shumta,e nuk ekziston as regjistër për të gjitha pronat. Problemi tjetër është që nuk inkasohen të hyrat nga këto qira të ndryshme”,deklaroi Shahini.

Po ashtu Shahini theksoi se Komuna nuk ka dhënë arsye se pse duan t’i japin këto prona në shfrytëzim.

“Prishtina e ka një problem shumë serioz me mbrojtjen e pronës publike, pra çdo ditë ende zabtohet prona publike. Ngjashëm edhe në Matiqan ku jetojnë p.sh prindërit e mi. Me dokumentet që i keni dërgu është e pamundur të votohet lista që keni dërgu, sepse s’është në përputhje me ligjin e do të kontribuoj me keqmenaxhimin e mëtutjeshëm”,shtoi ajo.

Edhe asamblisti nga radhët e Guxo, Jeton Mehmeti ishte kundër kësaj liste.

“Në lista s’ka të dhëna nëse ato janë të komunës, apo kanë konteste ligjore. E kjo listë nuk dëshmon se është e plotësuar sipas kritereve ligjore.”

Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje deklaroi se çdoherë që kolegia e tij Nora ka bërë vërejtje sa i përket pronave, ashtu ka qenë.

Sveçla gjithashtu tha se pika e rendit të ditës është kërkesë ligjore, lista e pronave duhet miratuar çdo vit deri më 31 dhjetor e nëse është afati i fundit.

“E nëse nuk miratohet lista e përgjithshme, sepse mungon lista e veçantë. I bie se Komuna e Prishtinës vitin e ardhshëm nuk mundet me dhënë asnjë pronë në shfrytëzim.Duke ditur se prona në këtë rast është një nga kryesoret që siguron të hyra financiare, s’është mirë të ndodhë. Pra s’është mirë të ndodhë por në anën tjetër me sjellë një listë me 5888 prona e me kërku nga Asambleja me votu të njëjtën pa kompletim të dokumentacionit paraprak, s’është në rregull.Kjo është si trajtim makineri votash, asamblistët s’janë makineri votash. S ‘mudemi me ngrit dorën me votu prona që nuk e dimë as kush i zotëron as kush është pronari ligjor as kush është destinimi i tyre. Kjo mund të shërbejë për veprime të jashtëligjshme, mund të ketë qytetarë që tanimë kanë ndërtuar në to, apo i kanë në shfrytëzim e miratimi i këtyre listave është një lloj shantazhi i tyre.Kërkoj që plotësimi i dokumentacioni i tyre të kompletohet sot, të marrim pauzë e derisa të bëhet të mos vazhdojmë. Ne jemi për miratimin e kësaj liste, por lista duhet të jetë siç parashihet me ligj.Në këtë ligj janë 17 parcela në të cilat është ndërtu një lagje luksoze, pra të lagjes Marigona – e të pronarëve me restorante në kulme të ndërtesave. Pra është tentativë të legjitimohet këto. Qysh është leju pra të ndërtohet në këto parcela, aty qytetarët kanë ble aty. Po flasim për 17 prej 2788-ve kush  e di çka ka tjetër”,deklaroi ai./Lajmi.net/