Lista e kritereve, Elezi: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional
Derisa afati për 27 subjektet politike për dorëzimin e listave të kandidatëve do të mbyllet të martën, në mesnatë, KQZ ka paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshktrohen procesit të verifikimit institucional. Përmes këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të…
Lajme
Derisa afati për 27 subjektet politike për dorëzimin e listave të kandidatëve do të mbyllet të martën, në mesnatë, KQZ ka paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshktrohen procesit të verifikimit institucional.
Përmes këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kontrollojë nëse kandidatët për deputetë i përmbushin kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 30 të tij.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka kujtuar se më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike për të dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.
“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha Elezi.
Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai apo ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.
“Në mesin e institucioneve nga të cilat KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëv, është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj për zbatimin e këtij kriteri ligjor, KQZ-ja do të kërkojë nga KGjK-ja verifikimin e listës së kandidatëve për të konstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.
Procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të zgjasë disa ditë.
Vetëm gjatë proceseve zgjedhore të vitit 2025, është verifikuar pajtueshmëria e mbi 8 mijë kandidatëve, prej të cilëve 5,624 kandidatë të zgjedhjeve lokale dhe 2,459 kandidatë për dy proceset zgjedhore për Kuvendin e Kosovës.