Lirohen nga akuza të akuzuarit në rastin “Stenta 3”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve 15 të akuzuarve (12 persona fizikë dhe 3 persona juridik) në rastin “Stenta 3”. Në këtë rast, të akuzuar ishin Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Borche Petrovski, Lulzim Brovina, Arton Beqiri, Driton Sylejmani, Abdullah Tuna, Mahmut Çakmak, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Raif Çavolli dhe Nexhmi Zeqiri, si…

Lajme

21/10/2024 14:31

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve 15 të akuzuarve (12 persona fizikë dhe 3 persona juridik) në rastin “Stenta 3”.

Në këtë rast, të akuzuar ishin Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Borche Petrovski, Lulzim Brovina, Arton Beqiri, Driton Sylejmani, Abdullah Tuna, Mahmut Çakmak, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Raif Çavolli dhe Nexhmi Zeqiri, si dhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Të akuzuarit u liruan nga akuza për “Dhënie ryshfeti”, “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “Shmangie nga tatimi”, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.

Kurse, për të pandehurit Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna, refuzohet akuza për veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore”, si dhe për Nexhmi Zeqirin dhe NSh “Zemra dhe Rehabilitimi” për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, ngase ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Gjykatësi Ajvazi tha se me vendim të posaçëm, Gjykata do të lirojë dorëzaninë, kurse palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest juridiko-civil.

Shpenzimet bien në barrë të buxhetit të gjykatës. Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të tij në formë të shkruar.

Ndaj të akuzuarve në rastin “Stenta 3″, rëndonin akuzat që kanë të bëjnë me veprat penale “Dhënie e ryshfetit”, “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “Shmangia nga tatimi”.

Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019.

Të akuzuarit Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohej se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.

Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohej se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët (të akuzuarit në rastin “Stenta 2”), ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.

Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohej se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit akuzoheshin edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.

Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzoheshin se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjekë në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdorë haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas Prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna akuzoheshin se në periudhën nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin kanë ushtruar në mënyrë të kundërligjshme veprimtari mjekësore në atë mënyrë që duke punuar në spitalin “Intermed”, kohë pas kohe i palicencuar, dhe duke vepruar edhe vetë kohë pas kohe si mjekë të palicencuar, kanë trajtuar pacientë, me ç’rast edhe kanë përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas Prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. Kurse, spitalet private “IMH”, “Intermed”, akuzoheshin për “Dhënie ryshfeti” dhe “Trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”. Për “Dhënie ryshfeti” akuzohej edhe spitali privat “Doktor”. Që të tri këto spitale akuzoheshin edhe për veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani dhe ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 45 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar të mbajtur në shkurt të 2018-ës.

Këto raste tashmë njihen si “Stenta 1”, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”.

Ndryshe, në rastin e njohur si “Stenta 1”, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 gusht 2022 ka shpallur aktgjykim lirues për Ferid Aganin dhe Gani Shabanin. Kurse, vendimin e Themelores e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Aktgjykim lirues më 24 korrik 2024 është marrë edhe ndaj gjashtë mjekëve Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri, të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ku procedura ishte veçuar nga të akuzuarit tjerë.

Po ashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 shtator 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 36 të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Stenta 2”, lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti. Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Po ashtu, rasti ishte veçuar edhe ndaj Daut Goranit, më 16 gusht 2023, i cili po ashtu është liruar nga akuza, më 4 dhjetor 2023.

Prokurori i Shtetit më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh-së, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit”, “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “Shmangia nga tatimi”.

Në ndërkohë, Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në këtë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.