Lirohen në procedurë të rregullt katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës

Katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës të cilët u intervistuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë liruar në procedurë të rregullt. Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në aksionin që po zhvillohet të enjten në Ministrinë e Infrastrukturës, janë intervistuar katër zyrtarë të kësaj…

Lajme

12/06/2025 17:47

Katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës të cilët u intervistuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë liruar në procedurë të rregullt.

Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në aksionin që po zhvillohet të enjten në Ministrinë e Infrastrukturës, janë intervistuar katër zyrtarë të kësaj Ministrie.

Të dyshuarit janë Sabit Muzaqi, Florije Selimi, Vjollca Vishaj dhe Edila Gosalci.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se aksioni po zhvillohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, tha ai.

Aksioni është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë në kuadër të veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, konfirmoi Shala.

Ndryshe, gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia më 29 maj arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë.