Lirohen dy serbët e arrestuar që dyshoheshin se janë oficerë të Serbisë
Dy serbë të arrestuar të dielën në Prizren janë liruar, pasi qëndruan 48 orë në paraburgim. Për të njëjtit ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë. Lajmin për lirimin e tyre e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren. Sipas njoftimit, pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë,…

Lajme
Dy serbë të arrestuar të dielën në Prizren janë liruar, pasi qëndruan 48 orë në paraburgim.
Për të njëjtit ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë.
Lajmin për lirimin e tyre e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren. Sipas njoftimit, pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit.
“Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë. Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”.
Përndryshe, ministri Xhelal Sveçla ka shkruar të dielën në Facebook se ata synonin të shkaktonin “tensione ndëretnike/fetare në Kosovë”, derisa Prokuroria tha se nuk ekziston dyshimi i bazuar.