“Liria ka Emër” fton qytetarët në Marshin për Liri më 12 shtator: Le të jetë pjesëmarrja jonë masive

Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që më 12 shtator t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00. Në një konferencë për media, përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, ka thënë se mobilizimi qytetar për këtë aktivitet po vërehet nëpër Kosovë…

Lajme

08/09/2026 14:25

Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që më 12 shtator t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.

Në një konferencë për media, përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, ka thënë se mobilizimi qytetar për këtë aktivitet po vërehet nëpër Kosovë dhe në diasporë.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në marsh të marrin pjesë së bashku me familjet, miqtë dhe bashkëqytetarët e tyre, duke kërkuar që pjesëmarrja të jetë masive, paqësore dhe dinjitoze.

“Kjo gatishmëri na bën të besojmë se në ditën e Marshit nuk do të jemi thjesht shumë njerëz në një vend. Do të jemi njerëz të bashkuar nga kujtesa, solidariteti dhe kërkesa për drejtësi”, ka deklaruar Tasholli.

Sipas tij, aktivitetet e zhvilluara ditëve të fundit, përfshirë ndezjen e zjarreve në zona të ndryshme të Kosovës dhe aksionin e mbajtur para EULEX-it, kanë shërbyer si forma të mobilizimit dhe shprehjes së kërkesës për drejtësi.

Ndërkaq, përfaqësuesja tjetër e platformës, Eliza Hoxha, ka njoftuar se për pjesëmarrësit do të ketë transport të organizuar nga qytete dhe komuna të ndryshme të Kosovës.

“Nga qytetet dhe komunat anembanë vendit do të organizohen nisje drejt Marshit. Pikat e nisjes, oraret dhe detajet e transportit do të bëhen publike me kohë përmes njoftimeve tona zyrtare”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka ftuar qytetarët edhe në ekspozitën “Ditari i një fotografi të luftës”, të fotografit Visar Kryeziu, e cila hapet sonte në ora 19:00 në Galerinë e Arteve, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Hoxha ka thënë se ekspozita synon të sjellë përmes fotografive pamje dhe dëshmi nga periudha e luftës në Kosovë, duke rikujtuar sakrificën, qëndresën dhe çmimin e lirisë.

“Liria ka Emër” ka bërë thirrje që qytetarët të jenë pjesë e “Marshit për Liri” më 12 shtator, duke e cilësuar pjesëmarrjen si shprehje të kujtesës, solidaritetit dhe kërkesës për drejtësi. /Lajmi.net/