Liri për Tregti
Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë. Ajo heq tarifën doganore për produktet e të dyja vendeve. Prodhimet kosovare mund të eksportohen në Turqi pa paguar tarifa doganore edhe për 10 vjet.
Lajme
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila dhe Ministri i Ekonomisë i Turqisë, Zafer Caglayan, kanë nënshkruar në Ankara marrëveshje për Tregti të Lirë në mes dy vendeve.
Ministrja Kusari-Lila tha se kjo marrëveshje heq tarifën doganore për produktet e të dyja vendeve, kështu që prodhimet kosovare mund të eksportohen në Turqi pa paguar tarifa doganore edhe për 10 vjet, sa zgjat mbrojtja e produkteve sipas kësaj marrëveshjeje.
“Kjo marrëveshje hap mundësi të mira për prodhuesit kosovarë. Të gjitha produktet industriale kosovare dhe një numër i madh i produkteve bujqësore do të lejohen të hyjnë në Turqi me tarifë doganore zero, menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes”.
“Nga marrëveshja do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset e dy vendeve. Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë tarifë doganore për produktet turke të cilat nuk prodhohen në Kosovë. Tarifa doganore do të eliminohet menjëherë për një numër të madh të produkteve, kryesisht atyre industriale, duke i bërë ato më të lira për konsumatorët tanë”.
“Marrëveshja garanton mbrojtjen me tarifë doganore deri në 10 vjet për të gjitha këto produkte”.
Ndëkaq Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Zafer Caglayan, tha se kjo marrëveshje hap rrugën e investimeve të reja që thellon bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë.
“Ne po nënshkruajmë marrëveshjen e tregtisë së lirë, e cila do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Turqisë. Ky është edhe një tregues që marrëdhëniet ekonomike mes vendeve tona po forcohen për çdo ditë edhe më shumë”.
“Ne sot po e trasojmë këtë autostradë ekonomike për bizneset tona. Tani ata duhet të shfrytëzojnë këtë përparësi dhe të shikojnë opcionet më të mira për të investuar në Kosovë dhe anasjelltas”.
Kjo është marrëveshja e parë e negociuar nga institucionet e Kosovës. Negociatat për këtë marrëveshje kishin filluar në shtatorin e vitit të kaluar dhe u përmbyllën pas 4 raundeve.