Limaj: “X” ka gënjyer

Fatmir Limajt thotë se akuzat e ndërtuara mbi bazën e një dëshmitari të vdekur kanë paraqitur problem në gjykim, për shkak të mosprezencës fizike të tij. Është i bindur se \"X\" ka gënjyer për motive politike. Mbrojtja i quan të pabaza akuzat e Salustros.

Lajme

11/09/2013 16:16

I akuzuari kryesor në rastin Kleçka, Fatmir Limaj, ka thënë sot para trupit gjykues se Agim Zogaj, i njohur si “Dëshmitari X” u detyrua të gënjejë për motive politike.

Limaj, i cili së fundi është liruar nga arresti shtëpiak, ka thënë se nuk e di nga kush dhe pse mund të jetë motivuar dëshmitari i cili bëri vetëvrasje në nëntor të vitit 2011 në Gjermani.

Sipas Limajt, akuzat e ndërtuara mbi bazën e një dëshmitari të vdekur kanë paraqitur problem në gjykim për shkak të mos prezencës fizike të tij.

Ai ka thënë se shumë gjëra janë dëshmuar të jenë gënjeshtra por se nuk është njeriu që i sajoi ato për ta pyetur për arsyen pse ka gënjyer, raporton RTK.

Limaj gjithashtu ka thënë se qendra e ndalimit në Kleçkë nuk ka pasur të bëjë fare me Brigadën 121 të cilën e kishte komanduar ai.

Gjatë fjalës përfundimtare të mbajtur të mërkurën, mbrojtja e ka quajtur të pabazë akuzën e prokurorit të EULEX’it, Maurizio Salustro. Avokati mbrojtës i Sabit Shalës, Mexhit Syla, tha se akuza nuk përmban fakte dhe përshkrim që e vërtetojnë se të pandehurit kanë kryer vepër penale.

Kjo aktakuzë, sipas avokatit Syla është ngritur me paragjykime dhe është e njëanshme.

Në pjesën e dytë të seancës, mbrojtja do të vazhdojë përsëri me fjalën përfundimtare dhe më pas, pritet që edhe të pandehurit ta thonë fjalën e tyre.

Aktgjykimi në rastin “Kleçka” pritet të mbahet më 17 shtator.