Limaj në takim me KDI-në: Bllokimi i institucioneve i papranueshëm, tentimi për zgjedhje të reja, i dëmshëm për vendin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka njoftuar për një takim me përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, të cilat tha se “po japin një kontribut të rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit institucional që po e mban të bllokuar Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Me to, Limaj…

Lajme

02/06/2025 16:36

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka njoftuar për një takim me përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, të cilat tha se “po japin një kontribut të rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit institucional që po e mban të bllokuar Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Me to, Limaj tha se u pajtua se bllokimi i institucioneve është “i papranueshëm” dhe se shkuarja në zgjedhje të reja për shkak të këtij dështimi do të ishte e dëmshme.

“Pajtohemi se bllokimi i institucioneve është i papranueshëm dhe çdo tentim për të shkuar në zgjedhje të reja për shkak të dështimit për të formuar institucionet është i dëmshëm për vendin. Kjo është një dukuri që e cënon të ardhmen politike dhe demokratike të shtetit tonë”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Në këtë takim theksova se në emër të demokracisë nuk mund të justifikohet dëmtimi i interesit të vendit. Demokracia nuk nënkupton shkatërrim institucional, por zgjidhje politike përmes marrëveshjes”, shkroi Limaj.

Kryetari i Nismës tha se kanë ofruar “partneritet në kuadër të Kuvendit për të garantuar funksionalitet institucional”.

“Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të kontribuar në ndërtimin e një marrëveshjeje politike që e zhbllokon situatën dhe garanton stabilitet”, shkroi Limaj.

“Qytetarët presin zgjidhje dhe qeverisje, jo krizë të përhershme. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe lidership që merr përgjegjësi”, shtoi ai.