Limaj me disa fjalë për Haradinajn, tregon se do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, para pak minutash ka shkruar lidhur me zhvillimet politike pas daljes së aktgjykimit të Kushtetueses lidhur me bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës dhe për thirrjen e aktgjykimit për gjetjen e një rruge përpara brenda 30 ditëve. Limaj ka thënë se qëndrimi i NISMA-s menjëherë pas zgjedhjeve se për interesa…

Lajme
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, para pak minutash ka shkruar lidhur me zhvillimet politike pas daljes së aktgjykimit të Kushtetueses lidhur me bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës dhe për thirrjen e aktgjykimit për gjetjen e një rruge përpara brenda 30 ditëve.
Limaj ka thënë se qëndrimi i NISMA-s menjëherë pas zgjedhjeve se për interesa nacionale është i gatshëm të bisedojë me secilin prej liderëve politikë që e fton, ishte një lexim i drejt i situatës, meqë sipas Limajt bazuar në rezultatet zgjedhore ishte e qartë se pa një marrëveshje mes partive s’do të kishte as konstituim të Kuvendit e as formim të Qeverisë.
“Sot, kur të gjithë liderët politikë janë ftuar në një tryezë nga kryetari i Vetëvendosjes dhe po e pranojnë nevojën për një marrëveshje politike, është me rëndësi të kujtojmë se kjo nuk është një rrugë e re, por është rruga që ne e kemi propozuar muaj më parë!
Rrugë që atëherë u kontestua, u nënvlerësua, u kritikua, e madje u shoqërua edhe me linçim publik”, ka thënë Limaj, si ‘thumb’ për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në takimin e ftuar nga Kurti e ka deleguar deputeten Time Kadriaj, derisa e kishte sulmuar Limajn për gatishmërinë për takim me Kurtin.
Sipas tij në vendim të Kushtetueses thuhet qartë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike, jo bllokim, jo taktika dhe jo shfaqje publike.
“Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike, jo bllokim, jo taktika dhe jo shfaqje publike. Fatkeqësisht, e gjithë kjo kohë nuk u përdor për zgjidhje, por për akuza, ndarje dhe hipokrizi politike.Sot gjithçka është bërë e qartë. Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë, dinjitoz dhe në shërbim të vendit”, ka shkruar Limaj.
Ai ka konfimruar se nesër do të marrrë pjesë në tryezën e ftuar nga Kurti për të ndarë të njëjtin qëndrim politik.
“Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime”, ka shkruar Limaj.