Limaj: Dështimi i Rezolutës për Srebrenicën, lajm i turpshëm nga Nju Jorku

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka reaguar pas dështimit të miratimit të Rezolutës në Këshillin e Sigurimit për gjenocidin serb në Srebrenicë. Të kujtojmë se kjo Rezolutë nuk kaloi pasi që Rusia vendosi veto.

Lajme

08/07/2015 19:03

Limaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky është lajm i turpshëm dhe se Serbia nuk po arrin të distancohet nga krimet e para 20 vitesh.

Lexojeni postimin e plotë të Limajt në Facebook:

Serbia edhe sot gjykon regjimin e Millosheviqit pse i ka humbur luftërat, e jo pse i ka shkaktuar ato luftëra dhe krime ndaj popujve në ish Jugosllavi.

Lajm i turpshëm nga New Yorku, dështoj miratimi i rezolutës për Srebrenicën që cilësonte gjenocid atë që kishin bërë atje forcat serbe para 20 viteve.

Ofensiva diplomatike serbe kundër kësaj rezolute e mbështetur nga Rusia edhe njëherë tregoj se Serbia jo vetëm që nuk është distancuar nga e kaluara kriminale, por për më tepër ajo demonstroj se nuk pranon gjenocidin që kanë bërë forcat serbe në Srebrenicë.

Në lidhje me këtë rezolutë, që ishte sponsorizuar nga Britania e Madhe, debati dhe mohimi që është bërë këto ditë në Beograd besoj mjafton për të parë se në atë vend asgjë nuk ka ndryshuar, madje serbët ndihen keq dhe e gjykojnë pushtetin serb të Millosheviqit për luftërat që i ka humbur, e jo për shkaktimin e këtyre luftërave dhe krimet e vuajtjet që ju ka shkaktuar popujve në ish-Jugosllavi.

Dështimi i kësaj rezolute po paraqitet si fitore e madhe e Serbisë në të gjitha mjetet e informimit serb dhe nga e gjithë elita politike e intelektuale atje.