Ligji për Shtetësinë, Musliu: E rrezikon shtetësinë e Kosovës, por këtu në Kuvend po vlen vetëm urdhëri i Dejona Aleksandër Mihaili
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka folur në lidhje me projektligjin për Shtetësinë e Kosovës që është sjell në Kuvend për votim. Ajo ka thënë se edhe ky ligj si të gjithë të tjerët që janë trajtuar brenda 15 ditëve të fundit, është dërguar në Kuvend me procedura të përshpejtuara sipas saj pa respektuar as…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka folur në lidhje me projektligjin për Shtetësinë e Kosovës që është sjell në Kuvend për votim.
Ajo ka thënë se edhe ky ligj si të gjithë të tjerët që janë trajtuar brenda 15 ditëve të fundit, është dërguar në Kuvend me procedura të përshpejtuara sipas saj pa respektuar as afatet ligjore e as procedurat që duhet të ndiqen kur bëhen proces-ndryshimet e ligjeve.
Musliu ka thënë se është duplifikuar agjenda e Kuvendit të Kosovës dhe kanë vendosur nga 2-3 komisione në të njëjtin orar duke ua pamundësuar që të punohet me seriozitet në këtë projektligj.
“Përkundër kësaj, në komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, ditën kur ishim prezent edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, kam adresuar të gjitha çështjet që janë kontestuese në këtë ligj dhe fatkeqësisht edhe nga ana e zyrtarëve të Ministrisë nuk kam marrë përgjigje”, ka thënë Musliu.
Ajo i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut që ta lexoj mirë këtë ligj dhe të merr këshilla para se ta nënshkruaj sepse sipas saj, ky ligj e rrezikon sigurinë e brendshme të Kosovës.
“Pa dashur të ndalem në amandamente dhe nene kontestuese, sepse i kam thënë, por është e qartë se këtu nuk vlen asnjë rregull tjetër përveç urdhërit të Dejona Aleksandër Mihailit. E pamë edhe pak më herët deputetët e mazhorancës nuk guxojnë ta ngrisin votën për të votuar pa e parë aty që nuk është propozuar nga opozita, nuk dëgjojnë fare çka thoni ju, çfarë vërejtjesh japim. E rëndësishme është që Dejona Mihaili ka dhënë urdhër përndryshe iu shkon karriera poshtë”, ka shtuar Musliu. /Lajmi.net/