Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin e pasurisë shihet si i vonuar- Njohësit thonë se s’duhet përdorur si “hakmarrje” ndaj kundërshtarëve

Javën që lamë pas, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu njoftoi se ka kaluar në parim projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Për këtë, ajo falënderoi anëtarët e Komisionit për diskutimet dhe votimin e këtij projektligji. “Sot, përpara anëtarëve të Komisionit për Legjislacion prezantova projektligjin për Byronë me fokus ndryshimet…

Lajme

02/10/2024 21:15

Javën që lamë pas, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu njoftoi se ka kaluar në parim projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për këtë, ajo falënderoi anëtarët e Komisionit për diskutimet dhe votimin e këtij projektligji.

“Sot, përpara anëtarëve të Komisionit për Legjislacion prezantova projektligjin për Byronë me fokus ndryshimet që ndërlidhen me adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, siç janë retroaktiviteti, periudha e verifikimit, komisioni mbikëqyrës dhe ndarja e pushteteve”, deklaroi Haxhiu.

E në lidhje me këtë Projektligj që u komentua, u diskutua shumë e po ashtu edhe u kritikua në disa raste, lajmi.net, ka kontaktuar me avokatin Musa Damati, i cili tha se projektligji për Byronë Shtetërore ka kaluar si një premtim i mazhorancës.

Sipas tij, ky Projektligj kaloi si një premtim i mazhorancës e më pas ka kaluar në filtrat e komisionit të Venecias duke marrë aprovimin se i njëjti mund të zbatohet në Kosovë.

Ai thotë se si i tillë mund t’i shërbejë vendit, por nuk duhet të përdoret si mjet për hakmarrje.

“Si i tille, ligji mund t’i shërbej vendit, por mendoj se assesi nuk mund te përdoret si mjet për hakmarrje politike apo për t’i sulmuar kundërshtarët dhe oponentët politik”, ka thënë Damati.

Damati u shpreh se shumë ligje të cilat kanë qenë të nevojshme për vendin tonë kanë kaluar me vonesë, e për të cilën thotë se edhe projektligji për Byronë Shtetërore ka qenë e nevojshme më herët dhe me më pak pompozitet.

“Në Kosovë shumë ligje të cilat i kemi e të cilat kanë qenë të nevojshme për vendin kanë kaluar me vonesë, andaj edhe ky projektligj ndoshta është dashur të bëhet shumë më herët dhe më me pak pompozitet”, ka thënë ai.

Ai shprehet i shqetësuar pasi sipas tij është bërë “spektakël”, dhe një paralajmërim drastik për kalimin e këtij ligji, gjë për të cilën thotë se me shumë vonesë është arritur deri te kalimi i këtij ligji.

Sipas Damatit, kjo vonesë u ka mundësuar subjekteve që të punojnë e të përgatiten me vite për të fshehur apo tjetërsuar pasuritë e kundërligjshme.

“Ajo çka si avokat mendoj se është shqetësuese është fakti se fillimisht është bërë një spektakël dhe një paralajmërim dramatik për kalimin e këtij ligji dhe pastaj me shumë vonesë kemi arritur deri tek kalimi i këtij projektligji, rrjedhimisht kjo mendoj se mund të ju ketë mundësuar subjekteve të këtij projektligji që të punojnë e të përgatiten me vite për të fshehur apo tjetërsuar pasuritë e kundërligjshme, dhe tërë kjo për shkak të, fillimisht spektaklit e pastaj vonesës disa vjeçare deri në kalimin e këtij ligji”, thotë Damati për Lajmi.net.

Ai thotë se ndryshimet janë bërë sipas komisionit të Venecias por që ka hapësirë për ndryshime të tjera.

“Ndryshimet janë bërë sipas komisionit të Venecias por mendoj se prapë ekziston hapësira për ndryshime”.

Ndërkaq ai është shprehur se procedura e cila pret një projektligj është propozimi i tij në Kuvendin e Kosovës, e për të cilën thotë se pritet të ndodhë pak para fushatës zgjedhore.

“Procedura e cila e pret një projektligj është propozimi i tij ne Kuvendin e Kosovës për aprovim dhe e cila si duket pritet te ndodhe pak para fushatës”, ka thënë ai.

Edhe Flamur Kabashi hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (IKD), i pyetur rreth kësaj çështje ka thënë se në bazë të qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë, ligji për Byronë Shtetërore llogaritet i parakohshëm për faktin se institucionet që do të zbatojnë ligjin ende nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësi të tilla.

“Në bazë të qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë, Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin e pasurisë llogaritet si i parakohshëm për faktin se institucionet që do të zbatojnë ligjin ende nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësi të tilla”, ka thënë Kabashi.

Sipas tij kur kësaj çështje i shtohet fakti se gjyqtarët nuk kanë specializimin e duhur për të marrë përgjegjësi shtesë e ul besimin dhe shpresën se ky ligj në këtë fazë mund të arrij qëllimin.

“Kur kësaj i shtohet fakti se edhe gjyqtarët nuk kanë specializimin e duhur për të marr përgjegjësi shtesë sipas këtij ligji dhe se në disa raste kanë pasur edhe integritetin e kontestuar  ulin besimin dhe shpresën se ky ligj në këtë fazë mund të arrij qëllimin”, thotë ai për lajmi.net.

Ai thotë se Qeveria ka rënë në kontradiktë me qëndrimet e veta pasi sipas tij pikërisht gjyqtarët që duhet ta zbatojnë këtë ligj i ka gjykuar publikisht se janë të padrejtë dhe nuk kanë integritet, derisa thotë se ky ligj ka të bëjë edhe me kufizimin e të drejtave të njeriut.

“Duhet pasur parasysh se partia në pushtet që e ka sponsorizuar këtë ligj pikërisht gjyqtarët që duhet ta zbatojnë këtë ligj i ka gjykuar publikisht se janë të padrejtë dhe nuk kanë integritet, dhe pikërisht ata do jenë që u ka dhënë mundësin që nga të njëjtit të zbatohet ky ligj i cili ndër të tjera do të trajtoj çështje që lidhen edhe me kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, thotë ai.

“Fatkeqësisht, lidhur me këtë rast kanë vendosur disa herë si Gjykata Kushtetuese ashtu edhe Komisioni i Venecias, duke gjetur se shumë dispozita të ligjit cenojnë parimet e një procesi gjyqësor të drejtë, pavarur dhe të paanshëm duke përfshirë dispozita që kufizojnë të drejtat dhe liritë e njeriut”.

Kabashi thotë se komente dhe analizë të draft ligjeve të mëhershme ka pasur edhe IKD, e cila kishte gjetur se draft ligji në tërësinë e tij ka probleme kushtetuese dhe që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Pjesë që Komisioni i Venecia i ka dhënë si komente dhe ne si IKD që ligji të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën dhe se nuk duhet të cenoj të drejtat dhe lirit e qytetarëve, pastaj që duhet të sigurohemi që drejtori i Agjencisë por edhe stafi tjetër të emërohen përmes një procesi të rregullt, të bazuar në meritokraci në mënyrë të drejtë dhe të pavarur e me transparencë ndaj publikut”, ka thënë ai ndër të tjera.

Fatkeqësi e ka quajtur Kabashi këtë pasi sipas tij edhe kësaj here ministria e Drejtësisë e ka injoruar publikun dhe grupet e interesit. Derisa ka thënë se një qasje e tillë cenon parimet e transparencës.

“Fatkeqësisht, edhe kësaj herë Ministria e Drejtësisë ka injoruar publikun dhe grupet e interesit duke bërë ndryshimet ligjore pa konsultime publike duke e miratuar në qeveri.  Një qasje e tillë padyshim se cenon parimet e transparencës”, ka thënë Kabashi.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, parashihet zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihet të jenë edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë./Lajmi.net/