Ligji për Bankat: FMN kërkon që kjo punë të kryhet në Kuvend

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, ka vizituar Republikën e Kosovës gjatë periudhës 25 shtator – 6 tetor, për diskutime mbi rishikimet e para të marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF), që vendi ynë ka me FMN-në. Sipas BQK-së, ky ekip i…

Lajme

17/10/2023 19:43

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, ka vizituar Republikën e Kosovës gjatë periudhës 25 shtator – 6 tetor, për diskutime mbi rishikimet e para të marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF), që vendi ynë ka me FMN-në.

Sipas BQK-së, ky ekip i FMN-së pas përfundimit të misionit, konstatoi se zgjedhja e Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i ka dhënë shtysë zbatimit të reformave fiskale dhe financiare në vend.

“Emërimi i Guvernatorit të ri të BQK-së dhe normalizimi i strukturave qeverisëse të BQK-së i ka dhënë shtysë të re zbatimit të reformave. Stafi i FMN-së pret që së shpejti do të miratohet Rregullorja e re e Punës, e cila do t’i qartësojë përgjegjësitë e Bordit Mbikëqyrës të BQK-së në raport me bordin ekzekutiv dhe që Ligji i ri për Bankat të dorëzohet në Kuvend në fillim të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e FMN-së.

Po ashtu, aty pohohet se cilësia dhe likuiditeti i aseteve të BQK-së është ruajtur në përputhje me objektivat e programit të FMN-së.

“Bilanci fiskal dhe depozitat e qeverisë në BQK, kanë mbetur mjaftueshëm mbi nivelin e tyre sipas programit gjatë 2023 dhe absorbimi i investimeve publike është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2022. Stafi i FMN-së pret që dy objektivat për fundin e vitit 2023 do të përmbushen. Gjithashtu, cilësia dhe likuiditeti i aseteve të BQK-së, është ruajtur në përputhje me objektivat e programit”, përfundon FMN-ja.

BQK-ja është në proces të zbatimit të masave të parapara në program, ndërsa është e fokusuar në finalizimin e tyre brenda afateve.