“Ligji i pagës minimale s’po respektohet as nga kompanitë që kanë kontrata me institucionet shtetërore”- Kërkohet mbikëqyrje

Ligji i pagës minimale hyri në fuqi në shtatorin e vitit që lamë pas. Sipas këtij ligji në Republikën e Kosovës askush nuk do të duhet të paguhet nën pagën 350 euro bruto apo 2 euro për orë pune. Për të respektuar këtë ligj pak javë më parë ministri, Hekuran Murati u bëri thirrje të…

Lajme

08/01/2025 16:45

Ligji i pagës minimale hyri në fuqi në shtatorin e vitit që lamë pas. Sipas këtij ligji në Republikën e Kosovës askush nuk do të duhet të paguhet nën pagën 350 euro bruto apo 2 euro për orë pune.

Për të respektuar këtë ligj pak javë më parë ministri, Hekuran Murati u bëri thirrje të gjithë punëtorëve që pranojnë pagë nën 350 euro të lajmërojnë autoritetet shtetërore për të marrë masa ndaj shkelësve të ligjit, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, kjo nuk u respektua as brenda institucionit prej nga doli ky ligj, pikërisht në Kuvendin e Kosovës.

Prej muajsh punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës ishin në grevë për rritje të pagës pasi paga që pranonin deri në atë kohë ishte 270 euro. Kërkesa e tyre nuk u plotësua nga kompania kontraktuese “Schafberger”, përderisa kjo e fundit i largoi nga puna punëtoret greviste duke i zëvendësuar ato me punëtore të tjera.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një prononcim për lajmi.net, deklaroi se ligji i pagës minimale nuk po respektohet në 90% të kompanive kontraktuese nga institucionet shtetërore.

“Çështja e pagës minimale nuk po respektohet në 90% të rasteve, po flas te kompanitë që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore. Sot mund të dalim me një listë të kompanive që nuk e respektojnë këtë ligj. Këtu nuk është faktor kompania, por institucionet shtetërore që nuk i përcjellin ato. Kompanitë kanë kontratë për pagën që ka qenë më herët minimale, por tani nuk e kanë plotësuar pjesën shtesë të ligjit të ri. Derisa në kompani tjera private nuk e kemi këtë problem, sa i përket çështjes së punëtorëve të Kuvendit të Kosovës, pronari i kompanisë nuk po e respekton vendimin e Inspektoratit të Punës që e ka urdhëruar kompaninë që t’i kthej në punë punëtoret. Jemi në përfundim të lëndës që ta dërgojmë në gjykatë dhe jemi të vetëdijshëm që gjykata do ta urdhëroj që punëtoret të kthehen në Kuvendin e Kosovës dhe gjithë kohës që janë në shtëpi të kompensohen me pagat e tyre. Kjo është çështje e brendshme e Kuvendit të Kosovës, ata nuk kanë pasur problem me kërkesat tona, por problemi del që është në Kuvend aty janë dy grupime që mes vete po krijojnë telashe”, tha fillimisht Azemi.

Azemi i cilësoi si mashtrime deklaratat e ministrit Murati që të lajmërohen institucionet shtetërore të gjitha kompanitë që nuk e respektojnë ligjin duke thënë se ai është në dijeni për rastin e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.

“Kjo është propagandë e tyre, nga ana sindikale janë të njoftuar për rastin. Kam pas takim me kryeinspektorin e punës dhe e kam lajmëruar që në 90% të rasteve nuk po respektohet ky vendim. Kjo është sa për të thënë diçka si nga kryeministri ashtu edhe nga ministri, Murati. Rast tjetër konkret është Universiteti i Prishtinës që ka rreth 400 punëtorë teknik dhe sigurimit fizik dhe para dy muajsh kemi kërkuar të respektohet vendimi, teksa ata e kanë sjellë kërkesën te Ministria e Financave duke kërkuar mjete shtesë, por deri tash nuk e kanë aprovuar, kjo është vetëm sa për të thënë diçka dhe për të kamufluar rastet para popullit, përndryshe ai e di shumë mirë që të gjitha kompanitë që kanë pasur kontrata me institucionet shtetërore nuk e kanë respektuar këtë vendim. A ka më rëndë se kur një qeveri merr vendim dhe vet ajo qeveri nuk e zbaton atë vendim. Vendimet po i nxjerr vetëm sa për të thënë që po nxjerrim vendime, përndryshe ato vet ajo nuk po i implementon”, përfundoi ai.

Kurse eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri për lajmi.net tha se vendimi për ndryshimin e ligjit të pagës minimale u bë pa dakordim me këshillin social duke bërë kështu që të shkaktohen pakënaqësi në sektorin privat.

Sipas Beqirit shumica e kompanive private nuk po e respektojnë ligjin e ri të pagës minimale, gjë e cila po e i dëmton punëtorët e këtij sektori.

“Paga minimale në Republikën e Kosovës ka hyrë në fuqi në tetor të vitit 2024, duke lënë anash një periudhë më shumë se dhjetëvjeçare nga rritja e fundit. Rritja e pagës minimale është bërë pa dakordim me këshillin social por vetëm me një vendim nga ana e qeverisë së Kosovës, e cila kishte shkaktuar pakënaqësi te sektori privat. Sipas informatave që kam vetëm një pjesë e bizneseve janë duke zbatuar vendimin e qeverisë lidhur me pagën minimale dhe kjo sigurisht që është kundërligjore për shkakun se po dëmtohen punonjësit të cilët do të duhej të merrnin pagat e tyre sipas udhëzimit të institucioneve të shtetit”,tha ai.

Sipas Beqirit organet e shtetit duhet të rrisin edhe me tej mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjit për pagën minimale sepse punëtorët po pësojnë.

“Institucionet duhet te kanë në fokus rritjen e inspektimeve, informimin e drejt të tyre lidhur me të drejtën për pagën minimale sanksionimin e bizneseve që shkelin të drejtën e punëtorëve.Duke u bazuar në informatat në teren një pjesë e madhe e bizneseve nuk janë duke zbatuar ligjin dhe po shkelin mbi dinjitetin e të punësuarve sidomos tek kategoritë të cilat nuk kanë qasje në informata e me kushte shëndetësore të vështirësuara”, përfundoi Beqiri.

Më 28 gusht 2024, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që paga minimale në vend të jetë 350 euro për të gjithë punëtorët.

Kjo rritje u bë disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës nga 264 bruto euro sa ishte asokohe, për të gjithë punëtorët në sektorin privat dhe atë publik.

Paga minimale në Kosovë parashihet se prek rreth 150 mijë të punësuar.

Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro./Lajmi.net/