Ligji i Pagave ende në proces të hartimit, buxheti shkon nesër në Kuvend – priten greva e protesta

Ligji i Pagave sipas të gjitha gjasave nuk do të futet në buxhetin e vitit 2021 siç kanë kërkuar sindikatat dhe punonjësit e sektorit publik.

Lajme

24/11/2021 18:54

Kjo pasi Projekt-ligji i Pagave ende është në procesin e hartimit, ndërsa projektligji për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës do të shqyrtohet nesër në Kuvendin e Kosovës.

Lajmi.net ka pyetur Ministrinë e Financave lidhur me Ligjin e Pagave dhe përgjigja e tyre e shkurtër ka qenë se është në proces të hartimit.

“Projektligji i Pagave është në proces të hartimit, procesi udhëhiqet nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thanë nga Ministria e Financave për lajmi.net.

Më tutje, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditura pikat e rendit të ditës për seancën e nesërme – ndërsa e katërta do të jetë edhe Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Në anën tjetër, koston e Ligjit të Pagave nuk e dinë as institucionet. Së paku, kështu kanë thënë nga Ministria e Financave për lajmi.net lidhur me këtë pyetje.

“Ende nuk dihet kostoja e Ligjit të Pagave”, thanë nga kjo ministri për lajmi.net, ndërsa nuk janë përgjigjur nëse është e mundur që ky ligj të futet në buxhetin e vitit 2021.

Në anën tjetër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë të kërkojnë implementimin e këtij ligji që nga janari i vitit 2022, gjë që po del të jetë e pamundur.

Edhe punonjësit shëndetësorë nëpërmjet Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë kërkuar Ligjin e Pagave, ndërsa ata gjatë të enjtës (25.11.2021) do të mbajnë grevë nga ora 07:00 deri në ora 15:00.

Edhe punëtorët e Administratës kanë paralajmëruar se do të protestojnë lidhur me Ligjin e Pagave dhe kanë kërkesë të njëjtë me Sindikatat.

Të gjitha këto sindikata kanë paralajmëruar protesta e greva si mjet që kërkesa e tyre të dëgjohet nga institucionet e Kosovës.

Gjatë muajit dhjetor, institucionet e Kosovës pritet të përballen me protesta të mëdha, ndërsa janari mund ta zë Kosovën të kollapsuar në greva te institucionet shëndetësore, arsimore e në administratën publike.

Mbetet të shihet nëse deri atëherë institucionet do të gjejnë zgjidhje për të dalë nga situata. /Lajmi.net/

Qeveria s’po i merr parasysh, nesër fillon greva e mjekëve në të gjitha institucionet shëndetësore