lajmi.net

Ligji i domosdoshmërisë

Kemi arritur në stadin që askujt nuk ia merr mendja të parashikojë se çfarë do të bëhet në vend me procesin e krijimit të institucioneve qendrore.

Opinion

25/09/2014 17:53

Do të duhej një shkrim i gjatë për t’i përmbledhur të gjitha paradokset politike me të cilat shoqëria kosovare po zgjohet për çdo ditë. Shtimi i tyre, ashtu si në jetën e një individi a një familje, bën që të mbërrihet në një shkallë që njeh apatinë si tipar kryesor, apo bindjen tjetër që nuk ka si të fillohet ky lëmsh i madh në të cilin është shndërruar politika kosovare.

Paradoksi nënë i të gjithë të tjerëve është ai që na dëftohet me një fjali të vetme: Askush nuk di kur dhe si do të ndodhë krijimi i institucioneve qendrore të Kosovës.

Janë dhënë në të kaluarën që matet me ditë dhe me javë, të gjitha argumentet e mundshme ligjore dhe politike.

Dihet raporti i forcave në Kuvendin e Kosovës. Kjo zaten u konfirmua qartë në vazhdimin e seancës konstitutive të Kuvendit, të mbajtur me 18 shtator. Por poashtu, dihen edhe qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat nuk kanë arritur dot që ta bashkojnë a ta lidhin të drejtën ligjore me fuqinë politike, apo edhe të drejtën e interpretuar nga kjo Gjykatë në definimin e një grupi parlamentar, me vullnetin e lirë të çdo deputeti, e cila poashtu garantohet si e drejtë e patjetërsueshme, në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Këto qëndrime  (të Gjykatës Kushtetuese), kanë sjellë një tjetër paradoks në një politikë dhe një shoqëri: Konceptin e infinitit, pakufishmërisë.

Me letra pra (si thuhet), ndërmarrja e zgjedhjes së Kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, mund të zgjasë pa kufi, sepse as nuk ka afat brenda të cilit e tëra duhet të përmbyllet, dhe as nuk ka konsekuenca ligjore, në trajtë të vendimit të menjëhershëm për organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, nëse dështohet në votimin për të parin e Kuvendit.

E pa zgjedhjen e tij, siç e dimë tashmë të gjithë, Kuvendi nuk llogaritet i konstituuar. E pa Kuvendin e Kosovës në fuqi, Presidentja Jahjaga nuk mund  t’i ofrojë askujt mandatin për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, sepse kjo Qeveri duhet të konfirmohet në Kuvendin e Kosovës, me votimin e së paku 61 deputetëve.

Kështu mbërrihet në një rreth, në të cilin secili prej nesh sillemi pandërprerë, për çdo ditë të lume.

Prishja e këtij rrethi, sërish në bazë të ligjit, nuk është e mundur me organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, sepse edhe për këtë akt, duhet të ndodhë së pari konstituimi i Kuvendit, e pastaj, shpërndarja e tij me vullnetin e së paku 80 deputetëve.

Jo më larg se para katër muajsh, ka ndodhë vetë-shpërbërja e Kuvendit, sepse asgjë nuk funksiononte si duhet në këtë instancë të pushtetit të vendit.

Zhbërja e këtij rrethi nuk po na paralajmërohet as prej instancave diplomatike perëndimore në Prishtinë. Po na thuhet përditë që jemi shtet i pavarur dhe që vetë politika kosovare, duhet me ia gjet çarën këtij pështjellimi të paparë në historinë 14 vjeçe të demokracisë kosovare. Pastaj, edhe sikur të vendosnin për të ndërhyrë në fillimin e situatës së krijuar, nuk po dinë se çka do të duhej bërë. Më në fund, në atë rast, do të ishin ata vetë, diplomatët perëndimorë që objektivisht do ta merrnin përgjegjësinë për rezultatin që do të krijohej në atë rast, apo për Qeverinë që do të bëhej në vijim të këtij ‘intervenimi hyjnor’.

Në shoqëri, në politikë, në jetën e përditshme, nuk ka gjasa të arrihet para-shikueshmëria e madhe (lëre me ajo e qind për qindtë), e mënyrës se si do të vijojnë ngjarjet. Me gjithë teknologjinë e jashtëzakonshme, diç e tillë nuk po arrihet madje as me parashikimin e motit. Ama në rastin e Kosovës, kemi arritur në stadin që pothuaj askujt nuk ia merr mendja as të parashikojë se çfarë do të bëhet në vend me procesin e krijimit të institucioneve qendrore. Ndërsa herët a vonë, do të mbërrihet në Kosovë në stadin ku një tjetër ligj suprem në jetën e një shoqërie, i cili nuk gjendet as në Kushtetutë dhe as në politikën e çdoditshme, do ta merr situatën në dorë. Ky quhet Ligji i domosdoshmërisë. Ai nuk pyet kënd, kur vjen. E dimë ne mirë në Kosovë. Madje, më së miri në këtë pjesë të Evropës. Ndërsa një shoqëri e organizuar si duhet kurrë nuk duhet të lejojë ardhjen e Ligjit të domosdoshmërisë.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)

Ligji i domosdoshmërisë

Poqëse mbledhim mend prej përvojës sonë të rëndë, vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale do të duhej të ishte i fundit kur detyrohemi të marrim vendime të këtilla.

Opinion

16/04/2014 10:46

Ka raste kur në një familje, në një shoqëri, në një shtet, krijohen rrethanat kur duhet marrë vendime të rënda, duke mos u bazuar fare në argumentet që janë atypari, të cilat bien ndesh me ato vendime.

Domosdoshmëria nuk ka ligj. Nuk njeh ligj. Është ligji më i fuqishëm i mundshëm, të cilit duhet nënshtruar.

Ky mësim na vjen prej romakëve, të cilit ishin mësuar të gjejnë shtegëdalje jashtë-ligjore, atëherë kur përballeshin me sprova të rrezikshme.

Nuk është aspak vështirë të kuptohet që në Kosovën e këtyre ditëve, fuqinë e domosdoshmërisë që nuk njeh ligj dhe as argument, e ka vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet që aktualisht, janë duke u hetuar nga Prokurori amerikan, Clint Williamson.

Ky vendim gjenë vetën në Shkëmbimin e Letrave midis Presidentes Jahjaga and Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton. Një mision i ri ndërkombëtar i sundimit të ligjit, i cili do të ketë mandat më të kufizuar se deri tash EULEX-i, dhe krijimi i kësaj Gjykate, janë dy pikat kyç në këtë Shkëmbim të Letrave, i cili do të duhej të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës me përkrahjen e së paku 80 deputetëve.

Kosova, siç kemi marrë vesh të gjithë ne ditëve të fundit, në trajtimin e sfidës së madhe të Gjykatës Speciale, i ka dy mundësi: Ose kjo Gjykatë do të bëhet me vendimin e Kuvendit të Kosovës, në një partneritet pra në mes të Prishtinës, Brukselit dhe Washingtonit, ose do të bëhet një Tribunal ndërkombëtarë, me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nuk duhet haxhuar shumë fjalë në shpjegimin pse krijimi i Tribunalit për Kosovën në East River  (selinë e OKB-së), do të ishte i barasvlershëm me një katastrofë politike të rendit të parë. Pasojat për Kosovën do të ishin largëvajtëse, në të gjitha aspektet e mundshme. Nuk është këtu çështje vetëm e imazhit ndërkombëtarë të vendit. Mbi të gjitha, në këtë rast, dëmet politike që do t’i pësonte Kosova do të krijonin një hendek të madh në mes të pretendimeve tona për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të shtetit të Kosovës dhe mundësive për të jetësuar këtë synim, në radhë të parë, përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Por, në anën tjetër, vendimi eventual i Kuvendit të Kosovës në favor të bërjes së Gjykatës Speciale, është më i vështiri i mundshëm, sepse thuaja të gjitha argumentet e mundshme të cilat i keni në kokë dhe nëpër dorë, kundërshtojnë themelimin e kësaj Gjykate.

Të gjithë ne i dimë këto argumente. Me to shoqërohemi gjatë gjithë ditës së lume, në takimet formale dhe ndejat miqësore.

Po: Drejtësia në Kosovë, në segmentet kryesore, është tutje në duartë e ndërkombëtarëve, siç ka qenë që prej qershorit të vitit 1999, si askund tjetër në këtë pjesë të Evropës. Pra, gjithçka, përfshirë këtu edhe krimet e pretenduara në Raportin e Dick Marty-t, (të cilat hetohen nga Clint Williamson), kanë mundur qëmoti të adresohen dhe të gjykohen nga gjyqësia ndërkombëtare në Kosovë.

Po: Kjo Gjykatë do t’i ndodhë Kosovës kur ende kemi shumë të zhdukur nga lufta e viteve 1998, 1999, kur akoma nuk janë ndëshkuar, në masën e duhur, autorët dhe akterët e krimeve më të rënda në Kosovë.

Po: Kjo Gjykatë do të ndikojë në politizimin e sërishëm të gjithë rrëfimit të luftës, duke e sjellë atë në qendër të vëmendjes së kosovarëve, pikërisht në kohën kur po gatiten zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të duhej të fokusoheshin në ndryshimin, rrënjësor të gjendjes ekonomike dhe sociale në vend.

Po: S’ka fjalë, këtu do të mund të zinin vend edhe shumë argumente të tjera të logjikshme.

Por ja që tani vjen në spikamë ai konkludimi i përrmendur që në fillim të këtij shkrimi.

Vendimi duhet marrë, ai është përfundimisht i pashmangshëm. Apo, thënë ndryshe, nuk ka tjetër rrugëdalje pos asaj që shquhet me votën e Kuvendit të Kosovës.

Organizimi i duhur i një familje, një shoqërie, një shteti ndodhë atëherë kur evitohen rrethanat e kësisojta, që imponojnë domosdoshmërinë e vendimeve të rënda, të cilat nuk kanë alternativë.

Nuk është dashtë të mbërrimë në këtë situatë.

Dhe ky do të duhej të ishte, poqëse mbledhim pak mend prej përvojës sonë të rëndë dhe të mundimshme, rasti i fundit kur jemi të detyruar të marrim vendime të këtij lloji.

 

Ky opinion është shkruar enkas për lajmi.net

LM