Ligji i domosdoshmërisë
Kemi arritur në stadin që askujt nuk ia merr mendja të parashikojë se çfarë do të bëhet në vend me procesin e krijimit të institucioneve qendrore.
Opinion
Do të duhej një shkrim i gjatë për t’i përmbledhur të gjitha paradokset politike me të cilat shoqëria kosovare po zgjohet për çdo ditë. Shtimi i tyre, ashtu si në jetën e një individi a një familje, bën që të mbërrihet në një shkallë që njeh apatinë si tipar kryesor, apo bindjen tjetër që nuk ka si të fillohet ky lëmsh i madh në të cilin është shndërruar politika kosovare.
Paradoksi nënë i të gjithë të tjerëve është ai që na dëftohet me një fjali të vetme: Askush nuk di kur dhe si do të ndodhë krijimi i institucioneve qendrore të Kosovës.
Janë dhënë në të kaluarën që matet me ditë dhe me javë, të gjitha argumentet e mundshme ligjore dhe politike.
Dihet raporti i forcave në Kuvendin e Kosovës. Kjo zaten u konfirmua qartë në vazhdimin e seancës konstitutive të Kuvendit, të mbajtur me 18 shtator. Por poashtu, dihen edhe qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat nuk kanë arritur dot që ta bashkojnë a ta lidhin të drejtën ligjore me fuqinë politike, apo edhe të drejtën e interpretuar nga kjo Gjykatë në definimin e një grupi parlamentar, me vullnetin e lirë të çdo deputeti, e cila poashtu garantohet si e drejtë e patjetërsueshme, në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
Këto qëndrime (të Gjykatës Kushtetuese), kanë sjellë një tjetër paradoks në një politikë dhe një shoqëri: Konceptin e infinitit, pakufishmërisë.
Me letra pra (si thuhet), ndërmarrja e zgjedhjes së Kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, mund të zgjasë pa kufi, sepse as nuk ka afat brenda të cilit e tëra duhet të përmbyllet, dhe as nuk ka konsekuenca ligjore, në trajtë të vendimit të menjëhershëm për organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, nëse dështohet në votimin për të parin e Kuvendit.
E pa zgjedhjen e tij, siç e dimë tashmë të gjithë, Kuvendi nuk llogaritet i konstituuar. E pa Kuvendin e Kosovës në fuqi, Presidentja Jahjaga nuk mund t’i ofrojë askujt mandatin për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, sepse kjo Qeveri duhet të konfirmohet në Kuvendin e Kosovës, me votimin e së paku 61 deputetëve.
Kështu mbërrihet në një rreth, në të cilin secili prej nesh sillemi pandërprerë, për çdo ditë të lume.
Prishja e këtij rrethi, sërish në bazë të ligjit, nuk është e mundur me organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, sepse edhe për këtë akt, duhet të ndodhë së pari konstituimi i Kuvendit, e pastaj, shpërndarja e tij me vullnetin e së paku 80 deputetëve.
Jo më larg se para katër muajsh, ka ndodhë vetë-shpërbërja e Kuvendit, sepse asgjë nuk funksiononte si duhet në këtë instancë të pushtetit të vendit.
Zhbërja e këtij rrethi nuk po na paralajmërohet as prej instancave diplomatike perëndimore në Prishtinë. Po na thuhet përditë që jemi shtet i pavarur dhe që vetë politika kosovare, duhet me ia gjet çarën këtij pështjellimi të paparë në historinë 14 vjeçe të demokracisë kosovare. Pastaj, edhe sikur të vendosnin për të ndërhyrë në fillimin e situatës së krijuar, nuk po dinë se çka do të duhej bërë. Më në fund, në atë rast, do të ishin ata vetë, diplomatët perëndimorë që objektivisht do ta merrnin përgjegjësinë për rezultatin që do të krijohej në atë rast, apo për Qeverinë që do të bëhej në vijim të këtij ‘intervenimi hyjnor’.
Në shoqëri, në politikë, në jetën e përditshme, nuk ka gjasa të arrihet para-shikueshmëria e madhe (lëre me ajo e qind për qindtë), e mënyrës se si do të vijojnë ngjarjet. Me gjithë teknologjinë e jashtëzakonshme, diç e tillë nuk po arrihet madje as me parashikimin e motit. Ama në rastin e Kosovës, kemi arritur në stadin që pothuaj askujt nuk ia merr mendja as të parashikojë se çfarë do të bëhet në vend me procesin e krijimit të institucioneve qendrore. Ndërsa herët a vonë, do të mbërrihet në Kosovë në stadin ku një tjetër ligj suprem në jetën e një shoqërie, i cili nuk gjendet as në Kushtetutë dhe as në politikën e çdoditshme, do ta merr situatën në dorë. Ky quhet Ligji i domosdoshmërisë. Ai nuk pyet kënd, kur vjen. E dimë ne mirë në Kosovë. Madje, më së miri në këtë pjesë të Evropës. Ndërsa një shoqëri e organizuar si duhet kurrë nuk duhet të lejojë ardhjen e Ligjit të domosdoshmërisë.
(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)