Lidhjet e Pacollit me Lindjen nuk kanë ndihmuar në njohje të Kosovës

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri i është kundërpërgjigjur akuzave të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, të bëra mbrëmë në RTK, i cili ka thënë se Edita Tahiri ka qenë në Perëndim dhe ka jetuar me paratë e tij në Moskë. 


Lajme

02/06/2014 21:47

Edita ka thënë se nuk janë të vërteta deklarimet e Pacollit se ai i ka financuar udhëtimet diplomatike të Qeverisë së Kosovës në vitet e ‘90-ta.

Tahiri ka thënë se gjithmonë ka qenë e angazhuar në ndërtimin e aleancave me SHBA-të dhe Perëndimin. “Për informimin e gjeneratave të reja, sepse bashkëkohanikët e mi e dinë se kur unë, në vitet e ‘90-ta, i ndërtoja aleancat me SHBA-të dhe Perëndimin, Behgjet Pacolli e restauronte Kremlinin dhe shtrinte bizneset e tij në Lindje.

Ajo për të cilën Behgjet Pacolli aludon, ka qenë pjesëmarrja ime në Konferencën e UNESCO-s në Jakutia të Siberisë dhe jo në Moskë, ku asokohe isha e ftuar unë si ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe në delegacion e kisha edhe dr. Edi Shkriun, aktivitet diplomatik ky që qe publikuar në atë kohë në gazetën ‘Bujku’.

\”Ju konfirmoj se të gjitha shpenzimet kanë qenë të mbuluara nga Fondi i Republikës së Kosovës (Fondi i tre përqindëshit) dhe jo nga z. Behgjet Pacolli e as nga kredit karta e tij. Për këtë ekzistojnë dëshmitë, përkatësisht raporti financiar. Por mund të them se për aranzhimin e disa kontakteve për t’u qasur në atë konferencë ka ndihmuar edhe z. Pacolli duke e pasur parasysh se ai në atë kohë kishte lidhje të forta atje. Ndihma e tij ka qenë kontribut për Kosovën”, ka deklaruar për “Epokën e re” Tahiri.

Edita Tahiri ka thënë se Pacolli nuk duhet të kompleksohet për lidhjet e tij me Lindjen, sepse andej ka qenë i fokusuar.

“Ne madje kemi pritur që ai mund të ndikojë që të vijë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Rusia, apo të paktën nga Kazakistani, por këto nuk kanë ndodhur. Ndërsa njohjet nga Perëndimi, për të cilat ne jemi angazhuar, kanë ardhur të gjitha dhe mbështetja nga SHBA-të ishte vendimtare në të gjitha fazat e ndërtimit të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.