Lidhja e Bizneseve: ZRRE të zbatojë vendimet e gjykatës, të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë. LBK thekson se ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog…

Lajme
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.
LBK thekson se ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog serioz me komunitetin e bizneseve, është i papranueshëm dhe rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë vendore. Qasja e deritashme e ZRRE-së, me mbështetjen e heshtur të Qeverisë, përbën një hap të gabuar strategjik, që nuk i shërben interesit të bizneseve të Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të vendit.
“LBK shpreh keqardhje që ZRRE dhe Qeveria kanë ndërmarrë një vendim pa konsultime të thelluara, pa analizë të ndikimit ekonomik dhe pa ndonjë plan kalimtar të qartë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji për sektorin privat. Nuk është e qartë në çfarë agjende janë përfshirë ZRRE-ja dhe Qeveria, por është evidente se ky drejtim nuk është në përputhje me nevojat dhe interesat strategjike të prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, edhe gjykata kompetente ka vlerësuar se ky vendim është kundërshtim më legjislacionin dhe ka urdhëruar pezullimin e tij, çka e bën të pakuptimtë këmbënguljen për zbatimin e tij nga ana e ZRRE-së.
LBK kërkon që ky vendim të rishikohet me urgjencë dhe që të ndërmerren masa konkrete për të ndaluar zbatimin e tij deri në një analizë të plotë gjithëpërfshirëse, të hartuar në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve dhe partnerët institucionalë.
“Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe një qasje të arsyeshme në raport me një çështje kaq jetike për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.