Lidhja e Bizneseve të Kosovës ankohet për mungesë përfshirjeje në diskutimet për pagën minimale
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka njoftuar se nuk ka qenë pjesë e takimit të organizuar nga Ministria e Financave, për çështjen e pagës minimale. Nëpërmjet një reagimi, LBK ka shprehur shqetësimin se proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në sektorin privat po zhvillohen pa përfshirje reale të bizneseve, duke reduktuar dialogun ekonomik në formë simbolike. “Dialogu…
Lajme
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka njoftuar se nuk ka qenë pjesë e takimit të organizuar nga Ministria e Financave, për çështjen e pagës minimale.
Nëpërmjet një reagimi, LBK ka shprehur shqetësimin se proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në sektorin privat po zhvillohen pa përfshirje reale të bizneseve, duke reduktuar dialogun ekonomik në formë simbolike.
“Dialogu me bizneset nuk mund të zëvendësohet me ftesa e takime formale. Bizneset janë kontribuuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe duhet të jenë pjesë reale e çdo procesi vendimmarrës që prek ekonominë e vendit”, thuhet në reagim.
LBK thekson se një qeveri në detyrë nuk ka mandat e as legjitimitet të ndërmarrë vendime për çështje madhore, sidomos për ato ku ka dështuar të arrijë rezultate gjatë mandatit të saj.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar të jetë zëri i pavarur dhe profesional i sektorit privat, duke kërkuar bashkëpunim të sinqertë institucional, politika të balancuara dhe vendime të bazuara në analiza ekonomike – jo në agjenda të momentit politik”.