Lidhja e Bizneseve del në mbështetje të Vita-s, kërkon qasje profesionale në kontrollet e sigurisë ushqimore

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar lidhur me kontrollet e fundit të institucioneve në kompaninë Vita, duke kërkuar që mbikëqyrja e sigurisë ushqimore të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të bazuar në fakte. Në një komunikatë, LBK thekson se mbështet pa rezervë kontrollet inspektuese të institucioneve përgjegjëse, por vlerëson se ato…

Lajme

07/07/2026 14:48

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar lidhur me kontrollet e fundit të institucioneve në kompaninë Vita, duke kërkuar që mbikëqyrja e sigurisë ushqimore të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të bazuar në fakte.

Në një komunikatë, LBK thekson se mbështet pa rezervë kontrollet inspektuese të institucioneve përgjegjëse, por vlerëson se ato duhet të respektojnë parimet e proporcionalitetit dhe komunikimit të përgjegjshëm institucional, transmeton lajmi.net.

Sipas Lidhjes së Bizneseve, rezultatet laboratorike të analizave të kryera gjatë muajve prill dhe maj kanë konfirmuar se produktet e qumështores Vita janë në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore, ndërsa analizat e mostrave të marra më 2 korrik janë ende në proces dhe pritet të publikohen në ditët në vijim, transmeton lajmi.net.

LBK shpreh shqetësimin se mënyra e organizimit dhe prezantimit publik të inspektimit ka krijuar perceptimin e një situate emergjente pa pasur ende një konfirmim përfundimtar shkencor apo administrativ, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të dëmtojnë reputacionin e bizneseve, besimin e konsumatorëve dhe klimën e investimeve.

Në fund, Lidhja e Bizneseve rithekson mbështetjen për prodhuesit vendorë dhe kërkon që kontrollet institucionale të vazhdojnë në mënyrë profesionale, transparente dhe të bazuar në prova, duke mbrojtur njëkohësisht shëndetin publik dhe integritetin e bizneseve që respektojnë ligjin.

Komunikata e plotë: 

Siguria ushqimore dhe prodhimi vendor kërkojnë qasje profesionale dhe të bazuar në fakte!

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, në vazhdimësi, ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë prodhimin vendor si një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, ne vlerësojmë lart përkushtimin e kompanive vendore që investojnë në cilësi, standarde ndërkombëtare, siguri ushqimore dhe zhvillim të qëndrueshëm, ndër to edhe Korporatën Devolli Group dhe brendin Vita, të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë ushqimore dhe të sektorit agro-industrial të vendit.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbështet pa rezervë ushtrimin e kompetencave ligjore nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore. Kontrollet inspektuese janë të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit publik, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe forcimin e besimit të konsumatorëve. Megjithatë, po aq i rëndësishëm është edhe respektimi i parimeve të proporcionalitetit, objektivitetit, paanshmërisë dhe komunikimit të përgjegjshëm institucional.

Rezultatet laboratorike të analizave të kryera gjatë muajve prill dhe maj, të cilat tashmë janë bërë publike, konfirmojnë se produktet e qumështores Vita janë në përputhje me standardet dhe parametrat e përcaktuar për sigurinë ushqimore. Njëkohësisht, analizat e mostrave të marra më 2 korrik 2026 janë ende në proces laboratorik dhe pritet të publikohen në ditët në vijim. Deri në përfundimin e këtij procesi, çdo vlerësim publik duhet të mbështetet ekskluzivisht në rezultate zyrtare dhe jo në perceptime apo konkluzione të parakohshme.

Në këtë kontekst, konsiderojmë se mënyra e organizimit dhe prezantimit publik të inspektimit në objektet e kompanisë ngriti shqetësime të arsyeshme lidhur me proporcionalitetin e veprimit institucional. Duke qenë se rezultatet laboratorike të disponueshme nuk evidentonin mospërputhje me standardet e sigurisë ushqimore, organizimi i një aksioni me një numër të madh të personelit politik, administrativ dhe inspektues krijoi perceptimin e një situate emergjente, pa ekzistuar një konfirmim përfundimtar shkencor apo administrativ që do ta justifikonte një ekspozim të tillë publik.

Veprime të tilla, edhe kur ndërmerren me qëllim të ushtrimit të kompetencave ligjore, duhet të jenë të balancuara dhe të kujdesshme, pasi mund të ndikojnë drejtpërdrejt në reputacionin e bizneseve, në besimin e konsumatorëve, në pozitën e prodhuesve vendorë në treg dhe në klimën e përgjithshme të investimeve. Parimi i proporcionalitetit kërkon që çdo veprim administrativ të jetë në përputhje me rrethanat faktike dhe të mos prodhojë pasoja më të rënda sesa që është e nevojshme për arritjen e qëllimit ligjor.

Publikimi i rezultateve të analizave që konfirmojnë përputhshmërinë e produkteve me standardet përkatëse dëshmon rëndësinë e respektimit të procesit të rregullt administrativ dhe të komunikimit institucional të bazuar në evidencë shkencore. Ky rast duhet të shërbejë si një praktikë nga e cila të gjitha institucionet mund të nxjerrin mësime, me qëllim që në të ardhmen kontrolli institucional të zhvillohet me profesionalizëm të plotë, duke mbrojtur njëkohësisht interesin publik dhe integritetin e bizneseve që respektojnë ligjin.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e palëkundur në mbështetjen e prodhuesve vendorë, fermerëve dhe të gjitha bizneseve që operojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet më të larta të cilësisë. Njëkohësisht, ritheksojmë se shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë prioritet absolut dhe se institucionet përgjegjëse duhet të vazhdojnë ushtrimin e kontrolleve të rregullta, profesionale, transparente dhe të paanshme.

Republika e Kosovës ka nevojë për institucione të forta dhe të besueshme, por njëkohësisht edhe për sektor privat të mbrojtur nga paragjykimet dhe dëmtimet e pajustifikuara të reputacionit. Vetëm përmes respektimit të shtetit ligjor, standardeve profesionale dhe partneritetit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit mund të ndërtohet një ekonomi konkurruese, e besueshme dhe e qëndrueshme në interes të qytetarëve dhe të zhvillimit afatgjatë të vendit./lajmi.net/