Liderët politikë të marrin shembull nga ata fetar

Në konferencën e dytë vjetore të dialogut ndërfetar, u konstatua se në Kosovë vazhdon të ketë harmoni ndërfetare. Udhëheqës fetarë në vend thanë se shembulli i bashkëpunimit që ata e promovojnë, mund të shërbejë edhe për politikanët kosovarë.

Lajme

30/10/2014 13:12

Udhëheqësit e partive politike në Kosovë, duhet të marrin si model bashkëpunimin dhe komunikimin që ekziston në mes të udhëheqësve të bashkësive fetar në vend, ka thënë Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Dodë Gjergji.

Ai këto komente i bëri në konferencën e dytë vjetore të dialogut ndërfetar të organizuar nga OSBE, ku vlerësoi se bashkëjetesa në mes të besimtarëve të feve të ndryshme në Kosovë paraqet një shembull të mirë, i cili mund të shfrytëzohet nga të gjithë.

“Kemi dhënë një dëshmi të mirë dhe do të vazhdojmë të japim këtë dëshmi për të qenë solidarë nëse do të kërcënohet e drejta dhe liria e njërës bashkësi”.

“Do të vazhdojmë sigurisht në çdo kuptim dhe herë të jemi bartës për të quar tek të gjithë njerëzit mesazhin e pajtimit, sepse paqe pa pajtim nuk ka. Unë mendojë se bashkësitë fetare në Kosovë janë shembull mirë, dhe nuk ka ndonjë shqetësim që neve e krijojmë në Kosovë”.

“ Aq më tepër është një angazhim dhe një përpjekje e përditshme që të jemi kontribuues për të mirën e përgjithshme në Kosovë. Ndoshta është mirë të theksojë që edhe liderët politikë ndoshta mund të mësojnë nga ne”, tha Dodë Gjergji.

Në këtë konferencë, nuk u la pa u përmendur edhe dukuria e ekstremizmit fetar, që ka pasur një shtrirje edhe në vend. Kryetari  i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Mysftiu Naim Tërnava, tha se institucioni që përfaqëson ai, është i hapur për të bashkëpunuar dhe luftuar çdo lloj ekstremizmi.

 “Do të doja të ritheksoja në veçanti, mungesën e ligjit për pozitën juridike të bashkësive fetare, e cila do të na mundësonte regjistrimin dhe rrjedhimisht do të kishim një numër të regjistrimit i cili është aq i ritheksuar.

“Po e përmendi regjistrimin sepse nuk është e mundur që të punojmë as ne as ju as askush tjetër më shumë se 600 vjet pa qenë të regjistruar…. Ne do të donim të ritheksonim edhe një herë këtë çështje për Qeverinë e Kosovës që të përshpejtojë procesin e ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për lirinë fetare……me keqardhje konstatojë se disa probleme me të cilat kemi qenë të preokupuar edhe më herët vazhdojnë të na ndjekin edhe më tutje. Edhe këtë vit kemi pasur raste të ndalimit të shkollimit të disa vajzave vetëm për shkak të mbulesës së tyre”, ka thënë Tërnava

Në këtë konferencë, prezent ishin edhe udhëheqësi i kishës protestante ungjillore të Kosovës, Pastor Driton Krasniqi, udhëheqësi i bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri dhe Peshkopi Teodosije.

Ata lavdëruan punën e qeverisë së Kosovës, të cilët nxorën ligjin për lirinë fetare dhe draftimin e ligjit, i cili përcakton pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë. Por gjithashtu, ata bënë thirrje që ky ligj të aprovohet sa më shpejt.

Ndërsa Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, tha se kjo konferencë ofron një mundësi për të dërguar një mesazh të fuqishëm të tolerancës dhe promovimit të dialogut në mes të të gjitha komuniteteve dhe njerëzve në Kosovë.

“Kjo ishte hera e parë që gratë janë përfshirë në këtë iniciativë dhe unë e konsideroj këtë si një hap shumë i rëndësishëm për të ecur përpara”.

“Do të doja po ashtu të përmend letrën që ju (komunitetet fetare), e keni adresuar të institucionet Kosovare për të kërkuar përmirësim në kornizën ligjore dhe qasjen komunale në mirëmbajtjen e varrezave”.

“Me tej, liderët fetar në nivel lokal, nga jugu i Mitrovicës, vizituan Kishën Ortodokse Serbe dhe varrezat e komunitetit mysliman në veri të Mitrovicës. …Konferenca e sodit ofron një mundësi për të riafirmuar konkluzionet dhe rekomandimet e këtyre forumeve të fundit dhe për të dërguar një mesazh të fuqishëm të tolerancës dhe promovimit të dialogut në mes të të gjitha komuniteteve dhe njerëzve në Kosovë”, tha ai.