Liderët e 47-të vendeve evropiane mblidhen sot në Tiranë
Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane do të mblidhen të premten për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës. Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik…

Lajme
Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane do të mblidhen të premten për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës. Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në samit, i cili mbahet nën moton: “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.
Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit.
Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit, përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin.
Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
Ndërkohë, për Shqipërinë – e cila ende përpiqet të çrrënjosë ndikimin e gjatë të regjimit komunist dhe të anëtarësohet në BE – ky është moment kyç.
“Është kënaqësi ta shohësh se sa larg ka arritur Shqipëria dhe që mban një takim të tillë me liderët e BE-së dhe Britanisë”, tha Dritan Hoti, 46 vjeç.
“Shqipëria po ec në drejtimin e duhur, pavarësisht të gjitha telasheve që ka pasur”, shtoi ai.
Para se t’i bashkohet BE-së, Shqipëria duhet ta fshijë reputacionin si një qendër shpëlarjesh parash për trafikantët e armëve dhe drogës, ku disa jetojnë në luks dhe shumë të tjerë në varfëri. Transparenca politike është gjithashtu e rëndësishme pas zgjedhjeje të diskutueshme, ta cilat kryeministri Edi Rama i fitoi zyrtarisht me rezultat të thellë, por të cilat po hetohen nga Prokuroria dhe nuk po pranohen nga opozita.
Kreu i opozitës dhe ish-kryeministri, Sali Berisha, ka thirrur një protestë paqësore gjatë samitit të së premtes. Ekspertët thonë se marrëveshja e Ramës për të pranuar emigrantë nga Italia, për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe për ta bërë vendin të hapur për investime të huaja – përfshirë ato të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump – Jared Kushner – kanë forcuar shanset e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“BE-ja po kërkon një histori suksesi”, tha Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London.
“Shqipëria dhe Mali i Zi mund ta kenë një mundësi, pasi të dyja janë vende shumë të vogla dhe nuk do të kenë ndonjë ndikim apo trysni të madhe mbi BE-në”, shtoi ai.
Shumëçka varet nga sa shumë e duan vetë vendet e Ballkanit anëtarësimin në BE.
Hoxhaj tha se besimi ndaj BE-së ka humbur paksa në rajon, pjesërisht sepse e ka bërë procesin e anëtarësimit shumë të vështirë.
Kosova dhe Serbia gjithashtu kanë synime për t’u bërë pjesë e BE-së, megjithatë mospajtimet e kamotshme mes këtyre vendeve fqinje e ka ngadalësuar përparimin.
Kosova është nën sanksione të BE-së për shkak të tensioneve etnike në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, këtë javë mori pjesë në festimet e fitores së Luftës së Dytë Botërore në Moskë, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli.
Zyrtarisht, liderët do të zhvillojnë një sërë takimesh tematike.
Ky samit është më i dobishëm si një platformë ku liderët mund të mbajnë takime dypalëshe, ose në grupe të vogla, për të shprehur mendimet e tyre mbi çështjet kryesore evropiane.
Ndryshe, Tirana po përgatitet edhe për fluksin e së premtes. Fluturimet nga aeroporti i Tiranës, i cili është në rindërtim e sipër për shkak të një lulëzimi të turizmit, mund të ndërpriten për shkak të trafikut të shtuar ajror, njoftoi vetë aeroporti në një postim në Instagram.
Kufizimet e qarkullimit në të gjithë kryeqytetin pritet të shtojnë më tej trafikun në unazën tashmë të mbingarkuar. Edhe rrugët për këmbësorë rreth qendrës së zhurmshme, ku do të mbahet samiti, do të jenë të kufizuara.