Liburn Aliu: Ky ajër është i ndotur, sepse ne e ndotim

Me rastin e 22 Prillit, “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëorganizim me MASHT-in, UNDP-në, OJQ- të: Ecokos Women, Pamkos dhe shoqërinë civile shënuan disa aktivitete në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Lajme

22/04/2022 13:10

Disa nxënës të shkollave të Prishtinës, Lipjanit dhe Fushë Kosovës kanë mbjellë disa bimë në katër muret vertikale të ndërtuara për pastrimin e ajrit.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi se ambienti është ndotur dhe po vazhdon të ndotet në masë të madhe, por ai ngjalli shpresën tek fëmijët për përmirësimin e ambientit në të ardhmen.

Ministri Aliu tha po ashtu se për ndotjen që është shkaktuar dhe që po vazhdon ende, fëmijët e kanë të drejtën që kur të rriten t’i padisin keqbërësit.

“Për ndotjen që kemi shkaktuar dhe po e shkaktojmë ne çdo ditë, këta fëmijë e kanë të drejtën që të na padisin kur të rriten dhe të bëhen të vetëdijshëm për ambientin të cilin e kemi dëmtuar ne. Pra, të dashur fëmijë këto bimë që po i mbjellim sot në këtë mur, këto do të ndikojnë që të pastrohet ky ajër. Ndërsa, ky ajër është i ndotur sot për shkak se ne e ndotim. Gjithë ushqimin, ujin, dhe ajrin që e thithim janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këto shishe sot po na helmojnë çdo ditë, sepse ne i kemi helmuar së pari ato. Ne e kemi helmuar tokën me këto shishe të plastikës, e kemi helmuar tokën çdo ditë me mbeturina dhe vazhdojmë me e helmu. Nuk është e lehtë me i bindë njerëzit që të mos e dëmtojnë më ambientin, të mos hedhin më shishe, e të mos e helmojnë më tokën, sepse ashtu janë pjekur. Por, s’ mund të vetëdijesohen sot ata? E vetmja shpresë jeni ju të dashur fëmijë”, theksoi Aliu.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, edhe komuna e Prishtinës ka organizuar disa aktivitete për pastrimin e ambientit në kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se pastërtia e Prishtinës është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve.

“Jemi duke bërë agjendën për vetëdijesimin e qytetarëve për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e qytetit, për arsye se kjo është përgjegjësi e gjithë neve, fillon nga fëmijët se si mundet një qytet me qenë shumë më i mirë dhe më i shëndetshëm për qytetarët e Prishtinës, sepse të gjithë e dëshirojmë, e çmojmë dhe e ruajmë”, theksoi Rama.

Riga Rudari nxënëse e shkollës “Hasan Prishtina”, tha se gjeneratat e reja do ta ruajnë dhe rregullojnë ambientin, i cili tash nuk është i mirë.

“Ambienti në Kosovë nuk është i mirë, por besoj që me kalimin e kohës gjeneratat e ardhshme, pra ne do ta rregullojmë atë dhe gjithmonë do të bëjmë përpjekje që të bëjmë më të mirën, sepse jo kot themi që ‘mjeku udhëzon, kurse natyra shëron’”, u shpreh ajo.

Edhe Ela Menxhiqi nxënëse nga shkolla “Mehmet Xhevori” në Prishtinë tha se pastërtia është gjysma e shëndetit, kështu edhe kërkoi nga të gjithë që të kujdesen për ambientin dhe ta mirëmbajnë atë.

“Çdo shtet duhet ta mbikëqyrë ambientin dhe ne si fëmijë, si gjenerata e re duhet të kontribuojmë për shtetin tonë”, theksoi ajo.

Aktivitetet për shënimin e “Ditës së Tokës”, kanë organizuar edhe komuna të tjera në mënyra të ndryshme, organizata dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.