Liberi: Përleshje e policisë me banorë për shkak të Ebolës

Pamje e një motre medicinale të veshur me rroba mbrojtëse kundër virusit Ebola në Liberi.

Bota

20/08/2014 17:50

Policia e Liberisë ka hedhur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë njerëzit që gjuanin me gurë, të zemëruar për shkak të karantinës së imponuar në lagjen e tyre, me qëllim që të ndalet përhapja e virusit vdekjeprurës ebola, transmeton REL.

Presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf të martën mbrëma ka urdhëruar ndalimin e lëvizjes, ndërsa lagjen e varfër West Point e ka vënë nën masa të karantinës.

Në këtë lagje është e përhapur sëmundja ebola, nga e cila kanë humbur jetën më se 1,200 njerëz në Guine, Sierra Leone, Liberi dhe Nigeri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka regjistruar 466 vdekje dhe 834 raste të ebolës në Liberi, kështu që ky vend është më i godituri nga ky virus.

Më 16 gusht, banorët në West Point depërtuan në qendrën e karantinës dhe vodhën artikuj të infektuar, përfshirë mbulesa dhe dyshekë.

Autoritetet thanë se 17 vetë, që kishin ikur nga kjo qendër, janë zënë dhe kthyer në karantinë.