Liberalizimi i tregut të energjisë: Vendimi në të mirë të ZRRE-së pritet me shqetësim

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kanë thënë të martën se e kanë pranuar me shqetësim vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili është në favor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për liberalizim të tregut të energjisë. ZRRE-ja nuk ka dalë ende me një…

Lajme

12/08/2025 18:24

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kanë thënë të martën se e kanë pranuar me shqetësim vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili është në favor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për liberalizim të tregut të energjisë.

ZRRE-ja nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar, por i ka thënë Radios Evropa e Lirë se bizneset shumë shpejt duhet të lidhin kontratë me ndonjë kompani të licencuar, ose në të kundërtën do të shkëputen nga rrjeti energjetik.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues, po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si mundësi e fundit për sigurimin e energjisë elektrike, për një periudhë 60-ditore. Kjo periudhë, për ata që kanë lidhur kontratë me KEK-un, ka skaduar më 31 korrik.

Mirëpo, përmes një aktgjykimi të lëshuar nga Gjykata Komerciale më 30 korrik, vendimi i ZRRE-së për dalje të kompanive në treg të lirë, është cilësuar si i kundërligjshëm, dhe rrjedhimisht kompanitë nuk janë shkyçur nga rrjeti.

Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu.

Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se do ta vazhdojë betejën përmes mjeteve ligjore që i ka dispozicion.

“Përkundër këtij vendimi, OEK kërkon nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRRE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ky institucion përmes një komunikjate për media.

Oda ka paralajmëruar se do të konsultohet me bizneset në ditët në vijim për t’i shqyrtuar hapat e ardhshëm.

Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se do t’i shfrytëojë të gjithë mekanizmat ligjorë për ta kundërshtuar vendimin.

Sipas saj, “gjykata ka pasur mjaftueshëm prova dhe argumente të qarta për shkeljet e bëra, të cilat janë prezantuar në mënyrë të përsëritur në çdo takim me institucionet, por fatkeqësisht nuk janë marrë për bazë”.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër. REL