Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë: Çfarë do të thotë për bizneset?
Nga 1 qershori, mbi 1000 kompani të mëdha në Kosovë do të përballen me një ndryshim të madh: ato nuk do të furnizohen më me energji elektrike nga sistemi me çmime të rregulluara, siç është KESCO, por do të hyjnë në një treg të lirë dhe konkurrues. Kjo do të thotë se çdo kompani me…

Lajme
Nga 1 qershori, mbi 1000 kompani të mëdha në Kosovë do të përballen me një ndryshim të madh: ato nuk do të furnizohen më me energji elektrike nga sistemi me çmime të rregulluara, siç është KESCO, por do të hyjnë në një treg të lirë dhe konkurrues.
Kjo do të thotë se çdo kompani me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor prej mbi 10 milionë eurosh do të duhet të zgjedhë vetë furnizuesin e saj me energji.
Kompanitë e tjera, që nuk I përmbushin këto kushte, duhej ta dëshmonin këtë te KESCO deri më 16 maj.
Çfarë është liberalizimi I tregut të energjisë?
Liberalizimi I tregut të energjisë ka për qëllim rritjen e konkurrencës, përmirësimin e efikasitetit dhe sigurimin e më shumë zgjedhjeve për konsumatorët.
Në Bashkimin Evropian, ky process ka nisur që nga fundi i viteve 90-ta. Por, në Kosovë, edhe pse i paraparë me ligj që në vitin 2017, ai është shtyrë disa herë.
Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur që ky process të nisë me bizneset e mëdha.
Cilat janë shqetësimet?
Përfaqësues të kompanive të licencuara për furnizim me energji paralajmërojnë se çmimet për këto biznese mund të rriten deri në 30 për qind në muajt e parë.
Disa biznese, si prodhuesi i lëngjeve Frutex, në Suharekë, thonë se kanë kërkuar oferta nga të gjitha kompanitë e licencuara, por ende nuk kanë marrë përgjigje konkrete.
Për ta, kjo rritje e çmimit mund të thotë dhjetëra mijëra euro më shumë në fatura mujore.
A janë furnizuesit gati?
Në tregun e Kosovës janë të licencuara 18 kompani për furnizim me energji, por shumica prej tyre nuk kanë pasur klientë deri tani.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, shumë prej tyre kanë ekzistuar vetëm “në letër”. Prandaj, Oda ka kërkuar që ky vendim të pezullohet për një vit.
Ajo i është drejtuar Avokatit të Popullit, i cili tashmë është duke shqyrtuar kërkesën.
Çfarë thotë ZRrE-ja?
Zyra e Rregullatorit të Energjisë, siguron se kapacitetet ekzistuese janë të mjaftueshme për të furnizuar bizneset pas liberalizimit të tregut.
Nga ZRrE-ja thonë se po mbajnë takime të rregullta me furnizuesit për t’iu ndihmuar në këtë tranzicion.
Çfarë pritet të ndodhë?
Në ditët në vijim, pritet që furnizuesit të publikojnë ofertat për kompanitë.
A do të jetë tregu i lirë i energjisë një hap drejt modernizimit, apo do të sjellë kosto të papërballueshme për bizneset? – Kjo mbetet të shihet pas 1 qershorit. REL