​Liberalizimi i tregut të energjisë, bizneset kërkojnë mbështetje dhe zgjatje të afatit

Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik, ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës. Kompanitë paralajmërojnë për rritje të kostove dhe çrregullime ekonomike, nëse ndodhë shpejt ky…

Lajme

16/03/2025 12:31

Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik, ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës.

Kompanitë paralajmërojnë për rritje të kostove dhe çrregullime ekonomike, nëse ndodhë shpejt ky liberalizim i tregut energjetik.

Duke filluar nga 1 qershori, bizneset e mëdha në Kosovë kërkohet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike. Derisa ZRRE ka pranuar se kjo kërkesë mund të sjellë shqetësime tek bizneset dhe ka theksuar nevojën për një proces të kujdesshëm dhe mbështetje gjatë këtij kalimi.

Përfaqësuesi i një kompanie të madhe në vend, Vigan Salihu thekson se kalimi në një treg të lirë të energjisë, sidomos kur çmimet janë të larta, mund të ketë ndikime negative të ndjeshme për bizneset.

“Neve na dëmton natyrisht. Sikur të kish qenë në treg të hapur me dalë në një kohë kur çmimet e energjisë elektrike kanë qenë më të volitshme, ne dihet që me dalë në treg të lirë në këtë moment nuk është e volitshme për bizneset. Nuk e dimë sa mundet me pas impakt, për shkak se nuk e dimë me çfarë çmimi mund të blihet energjia elektrike në treg të lirë. Por, që do të rritet energjia elektrike për rreth tre apo katërfish ajo është më së e sigurt”, thotë Salihu.

Edhe pronari i një kompanie tjetër në vend, Shaqir Palushi thotë se nuk janë të përgatitur për këtë tranzicion të shpejt. Sipas tij, kjo kërkesë do të jetë “ataku më i madh për kompanitë”.

Biznesmeni Palushi kërkon që kjo kërkesë të shtyhet deri në fund të vitit, dhe pret që në vend të ketë edhe kompani tjera të cilat do të ofrojnë shërbime të distribuimit të energjisë elektrike.

“Ajo që është shqetësuese, është paralajmërimi nga ana e KEDS (se nga 1 qershori të gjitha kompanitë që punësojnë mbi 50 punëtorë të dalin në treg të hapur)….nuk e di nëse ende jemi të përgatitur për këtë ndryshim i cili pritet të ndodhë dhe ndoshta kjo do të jetë ataku më i madh për ne kompanitë, sidomos prodhuese. Shpresojmë që të kemi mirëkuptim dhe të zgjatet kjo deri në fund të vitit, që edhe të përgatitemi, sepse ende edhe ashtu në Kosovë po operon vetëm KEDS, dhe presim që të ketë edhe kompani tjera të cilat do të ofrojnë shërbime të distribuimit të energjisëelektrike…Të paktën deri në fund të vitit duhet të shtyhet”, nënvizon Palushi.

Se pati ankesa edhe nga biznese tjera për këtë kërkesë siç thuhet të “shpejtë” e thotë edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi.

Ai derisa thotë se do të kërkojnë shtyrjen e afatit, nënvizon se liberalizimi i tregut energjetik nga qershori do të ishte edhe një goditje për bizneset, pasi siç thotë ai, do të rrezikojë edhe ekzistencën e tyre.

“Ne jemi për treg të lirë si biznese, por jemi që këto faza të përgatiten. Ka kohë, vite që në kemi kërkuar të kalojmë në treg të lirë, por që nuk ka ndodhë. Edhe kur çmimet kanë qenë shumë të ulta, dhe çmimet tona kanë qenë shumë të larta. Ne blejmë si biznese rreth 130 euro megavatin , ndërkohë para disa viteve, sidomos para COVID-19, çmimi në treg ka qenë rreth 40 apo 50 euro, dhe ajo neve na ka dëmtuar shumë. Kemi kërkuar, por nuk është realizuar, janë themeluar edhe biznese, firma që do të merreshin me shitjen dhe blerjen e rrymës dhe t’u ofrojnë më lirë bizneseve dhe qytetarëve, por që nuk ka ndodhë. Tash po vjen një vendim i shpejtë që nga 1 qershori, dhe ky vendim i ka gjet pa përgatitën, qoftë bizneset, qoftë edhe kompanitë që merren me shitblerje. Do duhej të lajmërohen së paku një vit përpara, në mënyrë që të krijohen kompanitë që bëjnë blerjen dhe shtijën e rrymës, të jenë funksionale dhe bizneset të përgatiten për treg…Ne do të kërkojmë shtyrjen e këtij afati, për shkak se është kohë e shpejtë. Në këtë gjendje që janë do të jetë edhe një goditje për bizneset sepse do të rrezikojnë edhe ekzistencën e tyre…Dëmet janë si rritja e çmimit të prodhimit, rritja e kostos. Prandaj, për këtë do duhej të merren masa paraprake edhe nga qeveria dhe të shihet efekti dhe kundër efekti i një vendimi. Nuk do duhej qeveria e Kosovës të lejojë një vendim të menjëhershëm siç ka ndodhur”, thekson Krasniqi.

Derisa nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në një përgjigje me shkrim për KosovaPress pranojnë se ky proces mund të shkaktojë shqetësime te disa biznese, të cilat mund të përballen me sfida të ndryshme, porse, sipas tyre, liberalizimi i tregut është një hap i nevojshëm.

“ZRRE-ja është e obliguar që të ndërmarrë hapa që mundësojnë këtë kalim, duke siguruar që të gjithë konsumatorët të kenë mundësinë të zgjedhin furnizuesin e energjisë në përputhje me parimet e tregut të hapur. E kuptojmë se ky proces mund të shkaktojë shqetësime te disa biznese, të cilat mund të përballen me sfida të ndryshme, sidoqoftë, liberalizimi i tregut është një hap i nevojshëm për të siguruar zhvillim afatgjatë dhe efikasitet në sektorin e energjisë, duke mundësuar konkurrencë të shëndetshme dhe mundësi te zgjedhjes së furnizuesit nga konsumatorët. Ne jemi të angazhuar për të marrë parasysh kërkesat dhe shqetësimet e bizneseve gjatë këtij procesi dhe për të ofruar mundësi për mbështetje dhe informacion shtesë për t’iu ndihmuar në përshtatjen me ndryshimet e reja. Gjithashtu, ZRRE-ja do të vazhdojë të monitorojë implementimin e këtij procesi dhe të marrë masa për të minimizuar ndikimet negative mbi bizneset”,thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e hapur energjetik, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.

Operatori për Furizim me Energji KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë.

Ani se ZRRE nuk ka dhënë përgjigje, mësohet se në Kosovë janë të licencuara edhe 18 kompani të tjera.

Ndërkaq, nga KESCO në një përgjigje me shkrim kanë thënë për KosovaPress se të njëjtit vetëm ekzekutojnë vendime të cilat vijnë nga ZRrE.

“KESCO është kompani e licensuar për furnizim me energji elektrike në Kosovë nga ZRrE. Rrjedhimisht ne vetëm ekzekutojmë vendime të cilat vijnë nga ZRrE”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga KESCO.

KESCO, në një njoftim më 5 mars, bëri të ditur se me kërkesë të ZRRE-së konsumatorët që kanë mbi 50 punëtorë ose që kanë mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur – pra do ta kenë të obligueshme ta zgjedhin vet furnizuesin.

Sipas njoftimit, kjo vlen nga data 1 qershor 2025 dhe është me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Përveç kësaj, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të premten ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet me 15 për qind duke nisur nga muaji prill i këtij viti.

Propozimi i ZRRE-së vjen pasi javë më parë, KOSTT, KEDS dhe KESCO kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Kujtojmë, ZRRE bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars. Më 2024, ZRRE uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë tre për qind, por në vitin 2023 rriti tarifat me 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.