Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2022 i hapi rrugë Listës Serbe për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit

Ndryshimet në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës të miratuara në vitin 2022 kanë bërë të mundur që Lista Serbe të ketë të drejtë për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, një privilegj që nuk ekzistonte në versionin e mëparshëm të Rregullores nga viti 2010. Ky ndryshim është vënë në pah nga deputeti i AAK-së,…

Lajme

09/09/2025 17:39

Ndryshimet në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës të miratuara në vitin 2022 kanë bërë të mundur që Lista Serbe të ketë të drejtë për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, një privilegj që nuk ekzistonte në versionin e mëparshëm të Rregullores nga viti 2010.

Ky ndryshim është vënë në pah nga deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili përmes një postimi ka kritikuar atë që e ka quajtur “patriotizëm sezonal” dhe hipokrizi politike në raport me Listën Serbe, transmeton lajmi.net.

“Në prill 2010, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Rregulloren e Punës, e cila nuk i jep ekskluzivitet asnjë partie politike serbe ta ketë nënkryetarin e Kuvendit. Në korrik 2022, Kuvendi aprovoi Rregulloren e re të Punës, e cila ia mundëson Listës Serbe ta ketë këtë pozitë,” ka shkruar Haradinaj, duke lënë të kuptohet se për këtë vendim përgjegjës është pushteti aktual i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka shtuar se kush ka pasur shumicën në Kuvend në vitin 2010 dhe në vitin 2022 tashmë është fakt i njohur publikisht, duke ironizuar me sjelljen e disa politikanëve që, sipas tij, veprojnë ndryshe në prapaskenë dhe ndryshe në publik.

“Folni fshehtas, zgërdhihuni nëpër bufe me dreqin e të birin, bëni plane skutave, e në publik na shitni moral. Marrë ju qoftë!”, përfundon ai reagimin e tij.

Kujtojmë se Rregullorja e Punës e Kuvendit përcakton mënyrën e organizimit të punës së këtij institucioni dhe strukturave të tij, përfshirë edhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në pozita udhëheqëse./lajmi.net/