Letra e Kurtit drejtuar LDK-së, Muharremi tregon si do të duhej të ishte përgjigja: Ju z.Kurti, nuk do të jeni pjesë e qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dërguar një letër, kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut me ftesën për të bërë koalicion. Në lidhje me këtë, analisti politik Shenoll Muharremi ka shkruar një letër se si do të duhej të ishte përgjigja e LDK-së drejtuar Kurtit. “Ju, z. Kurti, nuk duhet të jeni pjesë e qeverisë së…

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dërguar një letër, kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut me ftesën për të bërë koalicion.
Në lidhje me këtë, analisti politik Shenoll Muharremi ka shkruar një letër se si do të duhej të ishte përgjigja e LDK-së drejtuar Kurtit.
“Ju, z. Kurti, nuk duhet të jeni pjesë e qeverisë së ardhshme në asnjë kapacitet”, është njëra nga përgjigjet që sipas Muharremit duhet ta pranoj Kurti.
Postimi i tij i plotë:
Kështu ja kisha kthy letrën me qenë si kryesia e LDKsë:
Lidhja Demokratike e Kosovës
05/05/2025
Prishtinë
I nderuar deputet Kurti,
Ju faleminderit për letrën tuaj dhe për gatishmërinë që shprehni për të diskutuar një marrëveshje të mundshme politike ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, në funksion të konstituimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit.
Siç e dini mirë, zgjedhjet që sapo i lamë pas ishin një dështim për ju dhe subjektin tuaj. Ju kërkuat 500 mijë vota, por nuk i keni fituar, keni humbur. Ajo që e quajtët “referendum” u përmbyll pa sukses. Qasja e juaj “o krejt, o asgjë” është ndëshkuar nga qytetarët, të cilët kanë vendosur për një ndryshim të qartë drejt maturisë politike, shtetndërtimit dhe stabilitetit institucional.
Sot nuk keni as votat dhe as mandatet e nevojshme për të udhëhequr vendin. Si në çdo herë tjetër kur mbeteni pa rrugëdalje, po kërkoni ndihmën e partisë më të madhe institucionale në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
A ju kujtohet gjuha polarizuese gjatë fushatës? A ju kujtohet si u sollët më 9 shkurt, kur pas humbjes fyerët të gjithë të tjerët duke i quajtur “hajvana”? Ky nuk është një sjellje që reflekton as përgjegjësi, as vetëdije për rolin e liderit në demokraci.
Megjithatë, për hir të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe jo për shkak të jush, e pranoj letrën tuaj dhe jam i gatshëm të shqyrtoj propozimin për bashkëqeverisje, nën këto kushte të panegociueshme:
a. Qeveria e ardhshme duhet të udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo nuk është objekt negocimi.
b. Ju, z. Kurti, nuk duhet të jeni pjesë e qeverisë së ardhshme në asnjë kapacitet.
c. Lëvizja Vetëvendosje mund të udhëheqë vetëm një ministri ku është dëshmuar sukses relativ gjatë mandatit të kaluar. Për shumicën absolute të dikastereve, ka pasur dështim të theksuar.
d. Programi qeverisës i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jetë themeli i mandatit të ri. Ai është një program për zhvillim ekonomik, përkushtim ndaj demokracisë, respekt ndaj sektorit privat dhe forcim të institucioneve. Nuk do të ketë vend për qasje anti-biznes, retorikë përjashtuese apo eksperimente me shtetin.
Nëse jeni i gatshëm ta pranoni këtë realitet të ri politik dhe institucional, pres përgjigjen tuaj jo më larg se nesër, më 6 maj, në orën 14:00.
Me respekt,