Lënda kundër Jabllanoviqit kalon në Prokurorinë Speciale në Prishtinë
Para Prokurorisë Themelore në Gjakovë sot u panë disa përfaqësues të shoqërisë civile të cilët patën ngritur padi ndaj ministrit Jabllanoviq për deklaratat e tij në janar të këtij viti kur nënat gjakovare i pati quajtur egërsira. Por megjithëse, ai sot do të duhej të paraqitej në Prokurorinë e Gjakovës, Jabllanoviq nuk u pa aty.

Lajme
Më herët Jabllanoviq pati deklaruar se “Ne, që nuk jemi fajtorë për asgjë, nuk kemi asnjë arsye ta dëshmojmë pafajësinë tonë, e posaçërisht para Prokurorisë në Gjakovë”.
Jabllanoviq pati thënë se ngritja e një padie ndaj tij është presion që iu bëhet liderëve serbë në përgjithësi.
Përndryshe, Jabllanoviq akuzohet për veprën penale nxitje të urrejtjes nacionale, racore, fetare dhe tolerancës.
E Ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës i është dërguar ftesa që më 22 maj të paraqitet në Gjykatën e Gjakovës. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Driton Dobruna tha se kanë dalë ta presin përfaqësuesin e ish ministrit.
“Jemi dal ta presim përfaqësuesin e Jabllanoviqit që ka lajmruar që do të vjen. Neve na ka premtuar kryeprokurorja që edhe gjatë çdo procedure që do të jemi të njoftuar dhe në vendin e ngjarjes por ta shohim, nëse vjen mendojë që vjen ta bëjë ndonjë marrëveshje që mos të kalojë në gjykatë por nëse nuk vjen i bie që nuk respekton kushtetutën dhe prokurorin e Kosovës”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija ka thënë se lëndën e Jabllanoviqit e ka dërguar në Prokurorinë Special në Prishtinë për shkak se ka të bëjë me një ish-ministër.
“E kemi dërguar në Prokurorinë Speciale në kompetencë të mëtutjeshme, bazuar në faktin se ai në kohën kur dyshohet se ka kryer veprën penale ka qenë ministër. Unë konsiderojë që nëse Gjykata Speciale nuk do të pranonte ta ndal atë lëndë në shqyrtim te ata është dashur të ma dërgoi mua dhe unë sot ta kem para vete për të pas mundësi të vendos për hapat e mëtutjeshëm, si që nuk është ardhë, unë e kisha pas fletëkthesën për të vepruar për hapat e mëtutjeshëm“, ka thënë ajo.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se Jabllanoviq duhet të gjykohet dhe po kështu edhe të dënohet për deklaratat e tij fyese që pati bërë më 6 janar, raporton TV Syri.