Lekaj: Në vend që të ndihmojë në zhbllokimin institucional, Presidentja zgjodhi rrugën e kalkulimit politik

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka kritikuar ashpër vendimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani për tërheqje të kërkesës nga Kushtetuesja. Lekaj në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ky veprim i Osmanit veç se e ka thelluar më shumë krizën institucionale në vend. “Veprimi i presidentes Osmani për tërheqjen e kërkesës nga Gjykata…

Lajme

06/08/2025 14:05

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka kritikuar ashpër vendimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani për tërheqje të kërkesës nga Kushtetuesja.

Lekaj në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ky veprim i Osmanit veç se e ka thelluar më shumë krizën institucionale në vend.

“Veprimi i presidentes Osmani për tërheqjen e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidhi krizën institucionale – përkundrazi, e thelloi edhe më shumë. Kur një presidente e shtetit kërkon interpretim kushtetues dhe më pas tërhiqet pa asnjë sqarim bindës, krijon dyshime të mëdha për motivet politike pas vendimit.”, tha fillimisht ai.

Tutje, Lekaj tha se ky është një precedent i rrezikshëm që minon besimin në institucionin e Presidentit.

“Ky është një precedent i rrezikshëm që minon besimin në institucionin e Presidentit dhe e lë shtetin në një terren të paqartë ligjor. Në vend që të ndihmojë në zhbllokimin institucional, Presidentja zgjodhi rrugën e kalkulimit politik, duke e lënë vendin në paqartësi dhe me pasoja serioze për funksionimin demokratik të institucioneve.”, përfundoi ai. /lajmi.net/