Lejeqëndrime në këmbim të parave, si funksiononte skema e zyrtarëve të arrestuar të MPB-së?

Radha për të marrë një dokument në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shpesh zgjatë me orë të tëra. Por, për disa persona procedurat nuk kalonin fare në sportel. Një skemë e dyshuar korruptive, e organizuar në bashkëpunim me zyrtarë të administratës së kësaj ministrie, dyshohet se u mundësonte shtetasve të huaj të pajiseshin me lejeqëndrimi…

Lajme

23/07/2026 22:40

Radha për të marrë një dokument në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shpesh zgjatë me orë të tëra.

Por, për disa persona procedurat nuk kalonin fare në sportel.

Një skemë e dyshuar korruptive, e organizuar në bashkëpunim me zyrtarë të administratës së kësaj ministrie, dyshohet se u mundësonte shtetasve të huaj të pajiseshin me lejeqëndrimi dhe dokumentacion përkatës, krejt në mënyrë të kundërligjshme.

Disa muaj hetime të zhvilluara nga Policia dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, një ditë më parë rezultuan me arrestimin e katër personave.

Operacioni policor që u zhvillua në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim, tregoi për dyshimet se zyrtarët në bashkëkryerje kanë lëshuar lejeqëndrimi për shtetasit e huaj, duke përfituar personalisht.

Të ndaluarit, sipas organeve të rendit dhe hetuesisë, dyshohen për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit” dhe “Dhënie e ryshfetit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka thënë Dukagjinit se deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rast, raporton rtv dukagjini.

“Sipas hetimeve të zhvilluara nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dyshohet se aktiviteti i kundërligjshëm është realizuar përgjatë një periudhe rreth njëvjeçare. Sa i përket shumës së përfitimit pasuror të dyshuar si të kundërligjshëm, Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”.

Sipas ish-zëvendës ministrit të Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, këto vepra kanë rëndësi të madhe, pasi hyjnë në domenin e rrezikshmërisë të sigurisë publike.

“Kemi të bëjmë me shtetas të huaj që qëndrojnë në Republikën e Kosovës, dhe të cilët pa dashur me paragjyku, mund të jenë të involvuar në situata të ndryshme, madje për të mos thënë edhe me skenarë e direktiva të ndryshëm”, ka thënë Hoxha.

Me aktvendim të Prokurorit, tre të dyshuarit e parë me inicialet G.J, F.Sh, dhe D.K, janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, kurse ndaj të dyshuarës E.Q., rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.