Legalizohen objektet e para në Ferizaj
Një muaj pas fillimit të procesit të legalizimit sot është bërë edhe legalizimi i parë i shtëpisë së një qytetari ferizajas. Atij leja e legalizimit i është dhënë nga kryetari i komunës Muharrem Svarqa dhe drejtori për Urbanizëm dhe Mjedis Faik Grainca.

Lajme
Me këtë rast kreu i pushtetit lokal të Ferizajt Muharrem Svarqa tha se janë mbi 32 mije e 700 objekte që i pret një proces i tillë, ndërsa bëri të ditur se nuk do të mund të legalizohen objektet e ndërtuara në pronë publike dhe ato rreth pasurive të veçanta natyrore siç është fenomeni i Bifurkacionit.
“Gjerë tani kemi mbi 100 kërkesa për legalizim, përparësia qëndron në atë që të gjitha objektet që legalizohen gjithsesi do të jenë të regjistruara si objekte, apo pasuri e personave fizik ose juridik dhe në të njëjtën kohë mund të përdoren prona e tyre edhe për qëllime të tjera si për kredi, apo hipotekë. Ne po shpresojmë që deri në shtator të vitit të ardhshëm sa zgjat procesi i legalizimit të gjitha objektet e ndërtuara në komunën e Ferizajt, do të jenë të përfshira në legalizim”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ndërkaq qytetari Ismet Hajdari tha se për legalizimin e një objekti prej 240 metrash katror i është dashur të paguajë rreth 1 mijë e 300 euro nga të cilat 570 euro ka paguar në komunë.
Ai vlerëson se ndonëse është pak i shtrenjtë procesi është i përjetshëm dhe mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit.
Kurse drejtori për urbanizëm Faik Grainca tha se këto ditë janë shtuar kërkesat për legalizime. Rreth 100 kërkesa janë në shqyrtim nga të cilat 10 për shtëpi nëpër fshatra. E sa i përket kostos së lartë të legalizimit bëri të ditur se po angazhohen bashkë me nivelin qendror që të krijohen lehtësira në të ardhmen
Në bazë të ligjit për legalizime çdo hapësirë shtëpie apo banese e cila është mbi 100 metra katrorë duhet të paguajë 2.8 euro për një metër katror. Të hyrat nga ky proces planifikohen të arrijnë deri në 1 milion euro në 6 mujorin e parë të procesit deri në qershor të vitit të ardhshëm./KP