Leao flet për të ardhmen menjëherë pasi fitoi Serie A me Milanin

Sport

23/05/2022 14:19

Anësori i Milanit, Rafael Leao ka folur në lidhje me të ardhmen e tij.

Leao ishte njëri nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit këtë sezon, në të cilin “Rossonerët” u kurorëzuan me titullin kampion, pas një gare të fortë deri në xhiron e fundit ne rivalin e qytetit, Interin.

Portugezi pati paraqitje fantastike në fitoren 3-0 ndaj Sassuolos ku kontribuoi me tre asistime në pjesën e parë.

Pas ndeshjes ai dha një intervistë për “Milanes” ku foli për paraqitjet e tij si dhe zbuloi të ardhmen duke thënë se është shumë i lumtur në Milan, por nuk i dihet se çfarë do të ndodhë.

“Jam mirë këtu, jam i lumtur në Milano. Kam ardhur këtu shumë i ri, të gjithë më kanë dhënë besim të madh. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Leao, përcjell lajmi.net.

“Këtë vit kam qenë një lojtar ndryshe, kam më shumë besim dhe e di që mund të bëj ndryshimin. Gjëja më e rëndësishme është fitimi i titullit. Kam shënuar 11 gola në Serie A. Nuk jam lojtar egoist, por duhet të bëhem nganjëherë. Unë do të bëhem i tillë me punë dhe stërvitje”, vazhdoi ai.

Milani është shpallur kampion në Seria A pas plotë 11 viteve./Lajmi.net/